Osmani: Zgjedhja e Trumpit do ta forcojë marrëdhënien me SHBA-në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar para samitit të Komunitetit Politik të Evropës se zgjedhja e Donald Trumpit president i SHBA-së do ta forcojë bashkëpunimin mes Kosovës dhe SHBA-së.

Ajo ka theksuar se mbështetja dypartiake për Kosovën ka qenë e pandërprerë për dekada dhe beson se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe nën administratën Trump.

“Zgjedhja e presidentit Trump do vazhdojë ta fuqizojë këtë marrëdhënie dhe secili duhet ta japim kontributin tonë. Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të SHBA-së që në fillimet e viteve ’90. Jemi bekuar me atë mbështetje dhe për këtë, kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën Trump. Bashkëpunimi i fuqishëm mes Evropës dhe SHBA-së do të vazhdojë”, ka deklaruar Osmani.

Osmani ka mohuar që zgjedhja e Trumpit të paraqesë kërcënim për Kosovën, duke theksuar se të dyja partitë amerikane kanë kontribuar për përparimin e Kosovës.

Udhëheqësit evropianë po marrin pjesë në samitin e pestë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Budapest, Hungari të enjten për të diskutuar çështjet globale, duke përfshirë Ukrainën dhe Lindjen e Mesme.

Kryeministri hungarez Viktor Orban do të jetë nikoqir i takimit, ndërsa të pranishmit do të diskutojnë gjithashtu migrimin e parregullt dhe çështjet që lidhen me sigurinë ekonomike të Evropës.

Zyrtarë nga vendet anëtare të BE-së dhe vende të tjera pritet të diskutojnë gjithashtu marrëdhëniet BE-SHBA, pas fitores së zgjedhjeve të ish-presidentit Donald Trump për një mandat të dytë presidencial.