Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se veriu i Kosovës vazhdon të mbetet sfidë.
Ajo ka thënë se bandat kriminale në veri e të cilat financohen nga Serbia do të përballen me drejtësinë.ReklamaVideo Player is loading.
“Veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e të cilat i shpreh përmes financimit të strukturave ilegale kriminale. Ne jemi të vendosur që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit tonë. Bandat kriminale nuk do të mund të mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë edhe atyre në veri për të jetuar të lirë në atdheun e tyre në Kosovë. Atyre nuk ju pëlqen vendosmëria e institucioneve, as zbatimi i ligjit në tërë territorin e as lufta e pa kompromis ndaj krimit e korrupsionit. Le ta kenë të qartë se kjo është rrugë nga e cila nuk devijojmë e as nuk heqim dorë, ata do të përballen me drejtësinë”, ka thënë Osmani.
Presidentja i ka dhënë edhe një përgjigje pretendimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për vendosjen e ushtrisë serbe në Kosovë, duke thënë se kjo është një ide hegjemoniste.
“Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste për vendosjen e trupave ushtarake në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e di fare mirë që prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund në vitin 1999”, ka thënë ajo.
Osmani ka falënderuar Policinë e Kosovës për mbrojtjen e interesave të vendit, derisa ka deklaruar se Kosova është një dhe e tërë dhe atdhe i të gjithëve.
Ajo ka thënë se Serbia duhet ta kuptojë qartë se Kosova është shtet dhe i tillë do të mbetet gjithmonë.
Presidentja foli edhe për procesin e dialogut derisa theksoi se ai duhet të përqendrohet në njohjen reciproke.
“Pavarësia e shtetit tonë është ndërtuar me gjak dhe themelet e shtetit janë më të forta se sa që mund t’i mendojnë disa. FSK-ja po na bën çdo ditë krenar. Orientimi ynë strategjik nuk ka si të jetë më i qartë. Synim kemi NATO-n. Gjatë vitit 2022, kemi investuar në zgjerimin e marrëdhënieve me shtete e organizata. Politika jonë e jashtme po i shërben në tërësi interesave të shtetit tonë”, ka thënë ajo.
Osmani tha se ky vit ishte i rrethanave të jashtëzakonshme me zhvillime sfiduese. Presidentja shtoi se janë qytetarët ata që e bëjnë këtë vend më të mirë, dhe janë njerëzit ata që e bëjnë shtetin e jo anasjelltas.
“Jeni ju të gjithë qytetarë të dashur që e bëni këtë vend më të mirë. Janë njerëzit ata që i bëjnë shtetet e jo anasjelltas. Puna juaj qytetarë përkrahë punës së institucioneve ka kontribuar që Kosova jonë të fuqizohet dhe konsolidohet edhe më shumë si përbrenda ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar. Kosova është vend i rinisë, shtet partner paqedashës dhe i besueshëm”, tha Osmani.
Ajo nga foltorja e Kuvendit bëri thirrje që ta kthejmë vëmendjen nga përpjekjet shekullore të tonë për liri dhe pavarësi.
“Nga kjo foltore e Kuvendit, ju lus ta kthejmë vëmendjen përpjekjet shekullore për vendin tonë. Duhet ta kujtojmë edhe sot, ish-presidentin Ibrahim Rugova. Duhet ta kujtojmë simbolin e rezistencës së armatosur, Adem Jasharin. T’i kujtojmë të gjithë njerëzit tanë që dhanë aq shumë për vendin. Duhet kujtuar edhe rruga jonë e derikëtushme. Duhet ta kthejmë vëmendjen te dhimbja e të zhdukurve me dhunë, për fëmijët e vrarë gjatë luftës, për gratë e dhunuara, për mijëra jetimë e për familjet e dëshmorëve”, ka thënë ajo.
Presidentja ka shtuar se Kosova është shembulli më i mirë se çfarë mund të arrij një popull i bashkuar rreth idealit të lirisë.
Osmani përmendi edhe mbështetjen që Kosova i ka dhënë Ukrainës, dhe sanksionet që i ka marrë ndaj Rusisë.
“Kosova i ka qëndruar pranë Ukrainës, ndërkaq kemi miratuar sanksione ndaj Rusisë pa asnjë hezitim. Të hezitosh në situata të tilla do të thotë të bëhesh bashkëfajtor në krimet ndaj civilëve të pafajshëm. Nuk mund të ketë neutralitet në mes të mirës e të keqes, agresorit e viktimës. Kosova ka zgjedhur gjithnjë që të qëndroj në anën e drejtësisë”, tha Osmani. /Telegrafi/