Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, sot vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes, ku u prit nga ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, si dhe komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama.
Në takimin me ministrin Quni dhe gjeneral Ramën, Osmani shprehu mirënjohjen e saj dhe të Kuvendit të Kosovës për përkushtimin profesional dhe atdhetar të ushtarëve të FSK-së, për strukturën udhëheqëse të kësaj force, por edhe për angazhimin e pakursyer personal të ministrit Quni për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të FSK-së dhe ofrimin e sigurisë për qytetarët e vendit. Ajo i falënderoi ata edhe për angazhimin e tyre për ofrimin e ndihmës për menaxhimin e pandemisë Covid-19.
“Ne e çmojmë lart përkushtimin tuaj për të punuar ngushtë me strukturat e sigurisë, përfshirë KFOR-in, për ofrimin e sigurisë së vendit, por edhe për garantimin e një ambienti të qetë, në të cilin qytetarët e vendit do të ndihen të sigurt”.
Ajo e vlerësoi evoluimin e shpejtë të FSK-së dhe e siguroi ministrin Quni dhe komandantin Rama se institucioni të cilin ajo e udhëheq do të punojë ngushtë me ta për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për operim të FSK-së, përfshirë hartimin e legjislacionit të nevojshëm.
Ministri Quni, në anën tjetër, falënderoi kryetaren Osmani për vizitën dhe për kujdesin e vazhdueshëm të saj në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së. Ai e njoftoi kryetaren Osmani për hapat shumë të rëndësishëm që Ministria e Mbrojtjes, e udhëhequr prej tij, i ka ndërmarrë për ngritjen profesionale të FSK-së, por edhe për thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit me partnerët strategjikë për përforcimin e mëtejmë të sigurisë në vend.
Bashkë me ministrin Quni, kryetarja Osmani vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, në të cilin komandanti i kësaj force, gjeneral Rama dhe struktura udhëheqëse e saj e informuan atë për procesin e transformimit të FSK-së dhe aktivitetet kryesore të kësaj force.
Në fund, Osmani vizitoi edhe Klubin e Oficerëve të kësaj force, në të cilin pati mundësinë të shkëmbejë ide dhe përvoja me shumë oficerë të FSK-së.