Osmani ushtarëve të Kosovës: Sikur Adem Jashari, ju keni mision që Kosova të mbetet një dhe e tërë

residentja në detyrë, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj në manifestimin qendror të Epopesë së UCK-së, ka thënë se sot jemi të lirë për shkak të familjes Jashari dhe të tjerave që dhanë atë më të çmuarën,  jetën.

Ajo ka thënë se secili në mënyrë të vetë ka dhënë kontribut për lirinë që sot e gëzojmë.

“Sot jemi të lirë, sepse ky ishte vullneti i popullit të Kosovës, duke kontribuar secili në mënyrë të veten

Po e shënojmë këtë manifestim në kazermën “Adem Jashari”, sepse ai është fryma, është ideja dhe shpirti i forcës sonë të sigurisë. Ju keni dëshmuar se keni kapacitete që ta transformojmë FSK-në në ushtri. Sikurse Adem Jashari dikur ju keni përpara një mision që Kosova të mbetet një dhe e tërë”, tha Osmani.

Ajo ka shtuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik, lufta jonë për liri mbetet e shenjtë sikurse edhe shteti ynë ndaj dhe të dyjat do të jetojnë krahas njëra-tjetrës”, theksoi ajo.

Osmani ka porositur ushtarët e Kosovës dhe tërë prijësit e shtetit të mos harrojnë porositë e Adem Jasharit.

“Përgjatë tërë angazhimit tonë të mos harrojmë porositë e Komandantit Legjendar Adem Jashari, të mbesim këmbëngulës në parime, ta mbajmë besën e dhënë dhe që një jetë që e kemi të gjithë ne ta kemi për shtetin tonë”, nënvizoi Osmani.