Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka uruar Talat Xhaferin pas rizgjedhjes si kryetar i Kuvendit në Maqedoninë e Veriut edhe për katër vjet.
Osmani në telegram thotë se ka besim që gjatë këtij mandati do ta intensifikojnë bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve të të dy vendeve, duke shkëmbyer praktikat dhe përvojat parlamentare, si dhe duke zhvilluar diplomacinë parlamentare, njofton Klan Kosova
“Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut tradicionalisht kultivojnë marrëdhënie miqësore në të gjitha sferat! Ndaj, në një kohë të afërme, pres një vizitë tuajën zyrtare në Republikën e Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin bilateral si dhe për të hapur perspektiva të reja në interes të të dy shteteve fqinje”.
Telegrami i plotë:
I nderuar z.Xhaferi,
në emër timin personal dhe të Kuvendit të Kosovës, pranoni urimet e përzemërta me rastin e rizgjedhjes në detyrën e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut!
Kam besimin e plotë se në këtë mandat tuajin do ta intensifikojmë bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve të të dy vendeve, duke shkëmbyer praktikat dhe përvojat parlamentare, si dhe duke zhvilluar diplomacinë parlamentare.
Rritja e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të jetë një fuqizim i demokracisë, hapje e perspektivës evropiane dhe forcim i marrëdhënieve ndëretnike, në funksion të një Maqedonie të Veriut stabile dhe me orientim evropian.
Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut tradicionalisht kultivojnë marrëdhënie miqësore në të gjitha sferat! Ndaj, në një kohë të afërme, pres një vizitë tuajën zyrtare në Republikën e Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin bilateral si dhe për të hapur perspektiva të reja në interes të të dy shteteve fqinje.