Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova mezi pret të punojë me Marcio Rubion, pak orë pasi ai u konfirmua sekretar i Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kosova mezi pret të punojë me ju në forcimin e aleancës sonë të qëndrueshme, promovimin e vlerave tona të përbashkëta dhe adresimin e sfidave të kohës sonë së bashku. Në emër të popullit të Kosovës, ju uroj sukses në këtë rol të rëndësishëm”, ka shkruar ajo në “X” të martën, postim të cilin e ka shoqëruar me një fotografi nga një takim i mëhershëm me Rubion.
Rubio u bë i pari i nominuar i Donald Trumpit që mori konfirmim nga Senati.
Në Kosovë qe pritur me entuziazëm raportimi se Rubio është përzgjedhur për sekretar. Ai konsiderohet se e njeh situatën në Kosovë dhe ka realizuar takime me zyrtarë shtetërorë që nga 2018-a. Ai është takuar me Hashim Thaçin më 2018 e edhe me Vjosa Osmanin më 2023. Ndërkohë, më 2021 pati përgëzuar Kosovën e Izraelin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.