Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me krerët e partive politike parlamentare janë pajtuar që të bëhet analizimi e të gjitha datave dhe elementeve përkatëse për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
“Ky vendim nuk është marrë sepse duhet t’i analizojmë diskutimet që i kishim me kryetarët e partive”, tha Osmani gjatë konferencës për media pas takimit.
Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 dhe 16 shkurt.
Osmani tha se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Nuk kishte insistim të tepërt nga partitë, kishte më shumë preferenca…Disa parti preferuan 26 janarin, ka tri a katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy a tri tjera 16 shkurtin. Dhe kishte parti të tjera që nuk kishin fare preferenca”, u shpreh Osmani.
Osmani tha se aktualisht janë brenda afatit të konsultimeve për caktimin e datës për zgjedhje.
“Mirëpo, nga data 26 korrik e tutje, presidentja fiton të drejtën dhe ta bëjë shpalljen e zgjedhjeve, kështu që afatet veçse ekzistojnë”, theksoi ajo.
Në takimin konsultativ të thirrur nga Osmani, nuk ishin të pranishëm zyrtarët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por as të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.
E pyetur për mospjesëmarrjen e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin konsultativ, presidentja Osmani tha se nuk i di arsyet.
“Të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel kryetarësh dhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjuca, shprehu gatishmëri të vijë sot në takim. Mirëpo, meqë krejt partitë ishin të njoftuara se ky takim konsultativ është vetëm për nivel kryetarësh, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë dhe ai e zbatoi me mirëkuptim. Kryetari i LVV-së nuk ka qenë në takim. Ne nuk i dimë arsyet. Mund ta pyesni atë drejtpërdrejt. Mund të shkoni në zyrën e tij dhe ta pyesni”, u shpreh Osmani.
Partitë opozitare kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar.
Kreu i subjektit më të madh opozitar Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi tha se partia e tij është gati për zgjedhje në çfarëdo date.
“Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajën që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”, shkroi ai në Facebook.
Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se shpreson që presidentja Osmani do të shpallë 26 janarin, datën e zgjedhjeve të reja.
“Shpresoj që presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 janar”, shkroi ai në Facebook.
Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.
Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.
Sa i përket mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje, përmes shpërndarjes së Kuvendit, Osmani tha se kjo mundësio “ligjërisht ende ekziston”.
“Megjithatë ,shpërndarja e kuvendit kërkon dy të tretat e votave e më shumë dhe se a kanë disponim partitë politike në Kuvend ta bëjnë një shumicë të tillë, është çështje e tyre. Sot nuk u duk një dispononim i tillë”, tha ajo.