Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka kërkuar mësimdhënësve që t’i hapin dyert e shkollave duke filluar nga dita e hënë, për siç thotë ajo, të mos i cenohet e drejta kushtetuese fëmijëve për shkollim e derisa të arrihet një zgjidhjes përmes dialogut, pas takimit që pati me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar për Arsim (SBASHK).
Sipas Osmanit, pako e re financiare të cilën e prezantoi Qeveria të shtunën duhet ta vendosë një bazë për të filluar dialogun social mes palëve të përfshira në këtë çështje, dhe sipas saj, tani i takon sindikatave ta bëjnë një hap përpara.
“Dua të theksoj se e drejta kushtetuese e fëmijëve në arsim nuk duhet të cenohet. Duhet të bashkojmë forcat për të përmirësuar cilësinë në arsimin tonë. Për interesin e fëmijëve tonë, mësimi duhet të fillojë menjëherë. Pakon e re financiare të Qeverisë, e vlerësoj se janë masa që ndihmojnë kategori të ndryshme të shoqërisë. I lus sindikatat ta shqyrtojnë këtë pako. Zgjidhja afatgjate do të gjendet vetëm pas miratimit të Ligjit për paga”, ka thënë Osmani në një konferencë për shtyp para Presidencës.
Presidentja e vendit theksoi se është e përkushtuar për të gjetur sa më parë një zgjidhje që të fillojë procesi mësimor. “Interesi është i të gjithëve që grevat të zëvendësohen me dialog të vazhdueshëm”.