Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë që “non-papers” të publikuara në disa media, ku parashihet marrëveshja Kosovë – Serbi, e kanë vetëm një burim i cili sipas saj, është Serbia.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë kjo është strategji e Serbisë, me qëllim që një qasje e tillë të normalizohet e të bëhet pjesë e debatit të përditshëm.
Lexoni më poshtë postimin e plotë të Osmanit:
Të gjitha ato “non-papers”, që kanë përbrenda ide destabilizuese për rajonin tonë e kanë vetëm një burim: Serbinë.
Kjo është strategji e vjetër e Serbisë, e përsëritur tani me qëllim që një qasje e tillë të normalizohet e të bëhet pjesë e debatit të përditshëm, e pastaj edhe e agjendës së dialogut, kërkesë kjo e rrezikshme dhe destabilizuese e saj, por dhe e Rusisë.
Prandaj, të mos bijmë në kurthin e tillë. Të kemi besim në aleatët tanë, por mbi të gjitha të kemi besim në vetveten. “Non-papers”, të tillë lëre që refuzohen nga ana jonë, por as nuk do të mund t’i përcaktojnë veprimet tona e as mbarëvajtjen e dialogut.
Leximi i kujdesshëm i këtyre “non-papers” dhe idevë që prezantohen aty (siç janë ndryshimi i kufijve, krijimi i regjioneve autonome apo pushteteve të treta) tregon qartë se kush është hartuesi i vërtetë i këtyre dokumenteve.
Sot është dita kur kujtojmë më të dashurit tanë fatin e të cilëve ende nuk e dijmë. Përderisa dhimbja jonë për ta vazhdon, përgjigjja rreth fatit të të zhdukurve me dhunë gjendet në Serbi.
Asnjë “non-paper”, nuk mund t’i ndryshojë prioritetet e as kërkesat tona të drejta në raport me Serbinë: zbardhja e fatit të të zhdukurve, drejtësia si dhe reparacionet për dëmet e luftës.