Osmani: Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar me një postim emocional në lidhje me vrasjen e gruas shtatzënë që ndodhi sonte në oborrin e QKUK-së në Prishtinë.

Osmani është shprehur se sonte po vajton e gjithë Kosova. 

“Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë”.

POSTIMI I PLOTË:

Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë.

Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër
“burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës.

Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë!

Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë.

Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal.

Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!