Osmani: Serbia kërkon që të shtyhet zhvarrosja në Rashkë – dëshiron ta fshehë krimin

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia kërkon që të shtyhet zhvarrosja e trupave në Rashkë, sepse dëshiron të vazhdojë të fshehë krimin.

Në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka shtuar se fshehja e fakteve është krim në vete, ndaj sipas saj, çfarëdo vonese në këtë plan është krim i dyfishtë, njofton Klan Kosova.

“Veprimet gjenocidale të Serbisë në Kosovë ende nuk kanë marrë përgjigje. Pranimi i fajit, kërkimfalja dhe vendosja e drejtësisë janë tri parakushtet për stabilitet, fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme”.

“Prandaj secili njeri racional në Kosovë, kurrë nuk duhet të lodhet së treguari të vërtetën e së ngrituri zërin për njerëzit që humbëm si rezultat i politikave gjenocidale të Serbisë. Ne nuk jemi lodhur e nuk do të lodhemi kurrë së dëgjuari familjet e viktimave, sepse ata e tregojnë të vërtetën e Kosovës. Mirëpo jemi lodhur nga politikanë të papërgjegjshëm, të cilët tregojnë mosdurim ndaj së vërtetës e ndaj familjeve të viktimave, ndërkaq tolerancë ndaj politikave mohuese të Serbisë”.

“Për të gjithë ata që pyesin “Çfarë ka Kosova për t’i dhënë Serbisë si kompromis në dialog”, përgjigja jonë, njëzëri, duhet të jetë: Dëgjoni rrëfimet e familjeve të viktimave. Kosova nuk ka asgjë tjetër për të dhënë”.

Shkrimi i plotë:

Mbi 13 mijë civilë janë vrarë nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë, shumë prej të cilëve ishin fëmijë. Mbi 13 mijë njerëz sot nuk janë, në mënyrë që ne të kemi më shumë zë, në mënyrë që lirshëm të mund ta ngrisim atë zë. Përtej detyrimit politik, si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve është mbi të gjitha obligim njerëzor e human që këtë zë ta ngrisim për viktimat dhe familjet e tyre. Çdo ditë, në çdo vend e para cilësdo palë. Sepse e vërteta e Kosovës, është e vërtetë e dhimbjes, sakrificës, humbjes së më të dashurve, e vërtetë e nënave që humbën fëmijët, e vërtetë e fëmijëve që mbetën pa prindër, e vërtetë e familjarëve që panë tmerrin me sy, e shpëtuan pikërisht për të treguar këtë tmerr, siç thoshte edhe At Zef Pllumi: “Rrno për me tregue”.

Në varrezat masive në Serbi, u gjetën pjesë të trupave të civilëve, shumica prej të cilëve gra (përfshirë gra shtatzëna) e fëmijë, u gjetën lodra, receta barnash, rroba fëmijësh, e gjësende të tjera të njerëzve tanë, të pafajshëm, të cilët u vranë në mënyrat më mizore vetëm pse ishin shqiptarë.

Gjetja e mbetjeve mortore në një lokacion në Rashkë të Serbisë, disa ditë më parë, rikthen vëmendjen te 1643 personat e pagjetur, për të cilët ende familjet presin në antkh dhe për të cilat nuk ka informacion as shteti i Kosovës. Serbia kërkon që të shtyhet zhvarrosja e tyre, sepse dëshiron të vazhdojë të fshehë krimin. Fshehja e fakteve është krim në vete, ndaj çfarëdo vonese në këtë plan, është krim i dyfishtë. Veprimet gjenocidale të Serbisë në Kosovë ende nuk kanë marrë përgjigje. Pranimi i fajit, kërkimfalja dhe vendosja e drejtësisë janë tri parakushtet për stabilitet, fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme!

Prandaj secili njeri racional në Kosovë, kurrë nuk duhet të lodhet së treguari të vërtetën e së ngrituri zërin për njerëzit që humbëm si rezultat i politikave gjenocidale të Serbisë. Ne nuk jemi lodhur e nuk do të lodhemi kurrë së dëgjuari familjet e viktimave, sepse ata e tregojnë të vërtetën e Kosovës. Mirëpo jemi lodhur nga politikanë të papërgjegjshëm, të cilët tregojnë mosdurim ndaj së vërtetës e ndaj familjeve të viktimave, ndërkaq tolerancë ndaj politikave mohuese të Serbisë!

Për të gjithë ata që pyesin “Çfarë ka Kosova për t’i dhënë Serbisë si kompromis në dialog”, përgjigja jonë, njëzëri, duhet të jetë: Dëgjoni rrëfimet e familjeve të viktimave. Kosova nuk ka asgjë tjetër për të dhënë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj…Ka dhënë fëmijët e saj. Kjo është e vërteta të cilën nuk do të lodhemi asnjëherë duke e treguar!