Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se Serbia ka krijuar krizë në javët e fundit, në mënyrë që të mos diskutohet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të përbashkët për media me presidentin bullgar, Ruman Radev në Sofje.
“Është koha që ndërmjetësuesit e dialogut, Bashkimi Evropian, ta kuptojnë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit, përmes pjesëmarrjes”, ka thënë ajo.
Sipas Osmanit, pala serbe diskuton në tavolinë me kushtëzime dhe pengesa.
“Kjo është mënyra se si ata tentojnë të bllokojnë perspektivën e Kosovës në rajon dhe në nivel ndërkombëtar. Natyrisht, është në interesin tonë që ta përmbyllim këtë dialog me një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme dhe duhet ta kuptojmë se pala që është në anën tjetër të tavolinës, nuk është e interesuar që ta përmbyllë këtë proces me sukses”, shtoi Osmani.
Presidentja e Kosovës ka thënë se Serbia ka nisur të prodhojë kriza muaj më parë, kur, sipas saj, Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania, kanë dalë me një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.
Propozimi që përmendi ajo – i njohur në publik si plani franko-gjerman – thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Së voni, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet atij si “propozimi i Brukselit”.
“Interesi ynë është i kundërt, pra që diskutimet të nisin sa më parë që është e mundur”, ka thënë Osmani, duke shtuar se shpreson që BE-ja t’i dërgojë mesazh Serbisë se nuk mund të bllokojë më procesin.
Ekzistenca e propozimit të BE-së është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës, edhe nga ata të Serbisë.
Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.
Ndërkohë, Bullgaria, sipas njoftimit të Presidencës, është shprehur e gatshme ta mbështesë Kosovën në përballje me krizën energjetike dhe të dy palët janë pajtuar që të gjinden modalitetet për bashkëpunim dhe mbështetje nga një grup i përbashkët ndërministror i të dy shteteve. /REL/