Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka folur në konferencë për media së bashku me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në fjalën e saj, Osmani ka përmendur edhe sfidat me të cilat po përballen qytetarët serbë të cilët po i regjistrojnë automjetet e tyre me targa RKS, duke respektuar ligjin dhe afatin e caktuar nga institucionet e Kosovës për të ndërruar targat ilegale me ato legale, shkruan lajmi.net.
“Sa i përket çështjes së targave mendoj se çështja që duhet të flasim sot është pak më ndryshe. Ajo është se ka një kohë të gjatë që qytetarëve serbë të cilët po e respektojnë ligjin, po i konvertojnë targat në targa të Kosovës e po i largojnë ato të kohës së Millosheviqit, po i digjen shtëpitë e makinat. Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale dhe kriminale që janë në listën e zezë të SHBA-së, dëshmojnë se kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, tha Osmani.
Ajo ka thënë se Kosova është rikonfirmuar si “top-reformer”, pra si shtet i reformave në të gjithë Evropën, apo si reformuesi i dytë në botë.
“Kjo dëshmon se veprimet tona ishin të rregullta, e janë për sundim të ligjit, e për barazi të të gjithëve para ligjit, e asesi kundër qytetarëve serbë, por vetë fakti që përqindja më e madhe e serbëve i përdorin targat legale në Kosovë është dëshmi se kjo nuk është kundër tyre, por ajo pakicë që ende nuk i kanë konvertuar është për shkak të kërcënimeve që po ju bëhen nga strukturat ilegale”, theksoi Osmani.
Presidentja ka thënë se lufta e institucioneve të Kosovës është kundër bandave, teksa ka shtuar se në fushën e sundimit të ligjit presin gjithmonë përkrahjen e vazhdueshme të aleatëve të Kosovës në BE dhe SHBA.
Osmani ka ritheksuar edhe një herë se Kosova është e përkushtuar edhe sa i përket dialogut me Serbinë, duke thënë se ky përkushtim për paqe e stabilitet afatgjatë s’do të mungojë asnjëherë.