Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka vizituar sot Klinikën Infektive.
Osmani theksoi se vizita e saj është për t’i dhënë përkrahje stafit të cilët janë në vijën e parë të frontit.
“Është një situatë ku jemi në prag të festave dhe përderisa shumica dërrmuese prej nesh, do ta kemi një kohë të shkurtër për të pushuar, mjekët, infermierët dhe të gjithë punëtorët shëndetësorë të cilët kujdesen për qytetarët, siç e dini jo vetëm tash për festat e fundvitit, por çdo ditë që nga shkurti e tutje nuk kanë pasë asnjë ditë pushim”.
“Ata janë kujdesur vazhdimisht me vetëmohim dhe me sakrificë të madhe, mirëpo në kushte jashtëzakonisht të vështira edhe për punën e tyre, në mënyrë që të mbrojnë qytetarët dhe të mbrohet shëndetit i popullatës. Dua ta ritheksoj, që investimi në shëndetësi nuk është investim vetëm sektorial, por është investim që pastaj prek të gjithë sektorët e jetës”, u shpreh Osmani.
“…Dhe vetëm një shtet i cili e vendos shëndetësinë si prioritet numër një, me apo pa pandemi do të mund të ecë përpara, sepse do ta kemi një popullatë të shëndoshë, e cila pastaj mund të kontribuojë në një arsimim cilësor dhe ekonomik afatgjatë”.
Sipas saj, politikanët duhet të kenë prioritet shëndetësinë, jo vetëm gjatë kohës së pandemisë.
“Isha sot këtu që t’i jap përkrahjen e plotë dhe vlerësimin më të madh mjekëve dhe infermierëve të cilët ndër të tjera kanë humbur edhe shumë kolegë të tyre, që kanë qenë në vijën e parë të frontit, për t’i inkurajuar ata që përkundër kushteve të vështira dhe përkundër faktit që është trashëguar një sistem shëndetësor në të cilin nuk është investuar me dekada, t’u tregojmë që gjendemi pranë tyre dhe e vlerësojmë punën e tyre. Do ta ngrisim zërin për ta, se e meritojnë një gjë të tillë për punën që e bëjnë”.
“Politikbërësit duhet t’i kthejnë sytë kah shëndetësia jo vetëm kur kemi pandemi, por edhe kur përfundon, sepse vetëm atëherë nëse ne e kemi shëndetësinë prioritare në çdo fazë të politikbërjes, atëherë ne do të jemi të gatshëm të ballafaqohemi me sfida si këto sot”.