Osmani për presidentin e ri: Ne i pyesim qytetarët, ata Radojiçiqin

Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Vjosa Osmani, ka folur për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pozitë të cilën e synon ajo personalisht.

“Një president duhet ta shprehë unitetin popullor. Kjo keqkuptohet si unitet partiak, por ai duhet ta shpreh unitetin e popullit. Simbolikisht janë zgjedhje presidenciale dhe në aspektin e legjitimitetit”, është shprehur Osmani.

Ajo në KTV ka thënë se presidenti i vendit në të kaluarën është zgjedhur me marrëveshje ku janë përfshirë edhe drejtues të partive politike serbe

“Ne pyesim qytetarët për presidentin e ri, ata e pyesin [Milan] Radojiqiqin.  Ne po i pyesim qytetarët se kush duhet t’i udhëheqë institucionet më të rëndësishme në vend. Deri sot përvoja na ka mësuar që shtetit i është bërë dëm me përçarje dhe egoizëm të njerëzve që kanë udhëhequr herë presidencën herë kryeministrinë”.

“Me Kurtin kemi ndërtuar besim reciprok që institucioneve do t’u japë stabilitet. Kot zgjedhet një kryeministër sado i suksesshëm nëse presidencën e udhëheq një person tjetër me agjenda të tjera”.

Osmani është shprehur se Kosova është skuqur para botës për shkak të imazhit që ia kanë krijuar disa politikanë.