Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se homologu i saj serb, Aleksandar Vuçiq, bën një propagandë të mirë për dënimin e agresionit rus në Ukrainë, derisa në realitet vepron krejt ndryshe.
“Ai [Aleksandar Vuçiq] voton pro rezolutës së OKB-së që e dënon pushtimin rus të Ukrainës, por kur duhet të ndërmarrë veprime kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, qoftë ekonomike apo të tjera, ai asnjëherë nuk i ndërmerr këto veprime. Në fakt, Beogradi është i vetmi kryeqytet evropian, ku janë organizuar protesta pro Putinit me mbështetjen e plotë të qeverisë, ashtu si edhe të opozitës”.
“Më duhet t’jua rikujtoj se presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shërbyer si ministër i Propagandës në pushtetin e Millosheviqit. Ai është shumë i mirë të bëjë propagandën që Rusia e mbështet”.
Osmani, në një intervistë dhënë për gazetaren e njohur të CNN-it, Christiane Amanpour, ka thënë se Vuçiq e ka afruar Serbinë me Rusinë ashtu siç nuk ka qenë asnjëherë më parë.
Ajo deklaroi se Kosova, që Serbia e sheh si shtet të përkohshëm, do të mbrojë me çfarëdo çmimi pavarësinë dhe sovranitetin e vet, njofton Klankosova.tv.
“Në 10 vjetët e fundit, ai ka arritur të rrisë bashkëpunimin politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivelin që nuk ka qenë asnjëherë më parë. Vetëm një shembull, në vitin 2012 numri i ushtrimeve ushtarake mes Serbisë dhe Rusisë ka qenë 2 në vit, derisa tani është më shumë se 100 në vit. Ditëve të sotme shohim marrëveshje për blerjen e armëve mes Serbisë dhe Rusisë, si dhe Serbisë dhe Kinës, dhe kjo na shqetëson të gjithëve në rajonin tonë”.
“Sa më shumë armë që blejnë, aq më shumë bëjnë përpjekje destabilizuese ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia vazhdon të na shohë si shtete të përkohshme, çka qartazi nuk është e vërtetë. Ne jemi këtu për të qëndruar si kombe të pavarura, sovrane, dinamike dhe demokratike. Do të mbrojmë atë që kemi arritur dhe jemi gati të paguajmë çfarëdo çmimi për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin e pavarur dhe sovran që e kemi sot”.
Ajo ka thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjitha shtetet, qofshin të vogla apo të mëdha, të qëndrojnë së bashku kundër agresionit rus “duke shpresuar që kur lufta të mbarojë kriminelët e luftës do të përballen me drejtësinë”.
“Fatkeqësisht në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë jemi përballur me mohimin e gjenocidit. Nuk kemi parë drejtësi për viktimat e luftës akoma”.