Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova ka dhënë përkushtimin për themelimin e Asociacionit, nëpërmjet ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së vitit 2013, por edhe me Marrëveshjen Bazë të shkurtit të vitit 2023.
Duke komentuar letrën e tre liderëve të shtetit drejtuar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakyoannis, e në të cilën u dha zotimi për zbatim të marrëveshjeve, në të cilat përfshihet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani ka deklaruar se ky “nuk është përkushtim i marsit 2024, por i marrëveshjes bazike të vitit 2023 që është pranuar nga delegacioni i Kosovës”.
Osmani ka thënë se çështja e Asociacionit nuk i kërkohet Kosovës para pranimit në KiE.
“Mos të harrojmë që për themelimin e tij është dhënë përkushtimi i plotë më 2013 nëpërmjet ratifikimit, por ky është përsëritur në marrëveshjen e fundit, atë bazike të 27 shkurtit 2023. S’është përkushtim i marsit 2024, por i marrëveshjes bazike së vitit 2023 që është pranuar nga delegacioni i Kosovës dhe siç e dini të gjithë përfshin edhe detyrimin për themelimin e Asociacionit. Kërkesë e imja ka qenë në letër që të përfshihet një pjesë ku çdo detyrim i Republikës së Kosovës të zbatohet në përputhje me të drejtën kushtetuese, ligjet e Republikës së Kosovës, me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Kushtetueses. Kjo është korniza jonë s’dalim kurrsesi jashtë saj”, ka thënë Osmani për gazetarët pas konferencës së organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Arkansasit, për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Sot (e mërkurë), Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës (KiE) do të shqyrtojë raportin e Bakoyannisit. Osmani ka thënë se shpreson që të miratohet dhe që më pas Asambleja e Përgjithshme ta rekomandojë anëtarësimin.
Osmani ka thënë se të gjitha nivelet e institucioneve janë angazhuar në lobim. Ka thënë se kushdo që mendon për shtyllat e Evropës duhet t’i thotë po pranimit të Kosovës në Këshill të Evropës.