Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës në vizitën dy ditore në Shqipëri ka takuar kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçin.
Osmani ka kërkuar nga homologu Ruçi që Kuvendi i Shqipërisë të marrë qëndrim për krimet e Serbisë në Kosovë.
“Duhet ndiqet shembulli i Kuvendit të Kosovës, i cili ka miratuar një Rezolutë, me të cilën kërkohet dënimi i gjenocidit serb në Kosovë. Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet”, ka deklaruar Osmani.
Më tej, ajo ka theksuar rolin e Kuvendit të Kosovës në bashkëpunimin me atë të Shqipërisë, ndaj ka kërkuar mbështetjen dhe ndarjen e përvojave në procesin e integrimit evropian.
“Duhet ta rrisim bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet të të dy Kuvendeve në funksion të shkëmbimeve ndërparlamentare dhe zhvillimit të diplomacisë parlamentare”, është shprehur Osmani.