Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas dënimit të serbit Zoran Vukotiq me dhjetë vjet burgim për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës, përkatësisht dhunim seksual.
Ajo ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm pasi që ky është i pari rast që është dënuar një polic serb për dhunim seksual, derisa ka thënë se drejtësia duhet të shkojë në vend edhe për gratë e tjera që janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Një përparim i rëndësishëm sot – për herë të parë një polic serb është dënuar për dhunim seksual gjatë kohës së luftës. Por, mos të harrojmë se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ne kemi nevojë për përgjegjësi dhe drejtësi për mijëra gra të tjera kosovare që nuk e kanë marrë atë”.