Gjashtëdhjetë shtetas të Maqedonisë së Veriut janë evakuuar nga Izraeli që nga fillimi i sulmit masiv të militantëve të Hamasit, të shtunën, më 7 tetor, bëri të ditur ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Ai tha se autoritetet kanë regjistruar rreth 150 shtetas të Maqedonisë së Veriut në qytete të ndryshme të Izraelit dhe në territoret palestineze. Por, ky numër mund të arrijë deri në 200 persona pasi disa nuk janë paraqitur për identifikim në thirrjen e autoriteteve të Shkupit.
Të shtunën, sipas Osmanit, pritet të kthehen në Shkup edhe 90 të tjerët, të cilët janë duke komunikuar me shtabin e krizës të formuar menjëherë pas shpërthimit të konfliktit të Izrael.
Shefi i diplomacisë maqedonase tha se ambasada në Kajro, është duke komunikuar me dy persona të tjerë që ndodhen brenda zonave të rrezikuara të Gazës, të izoluara nga Izraeli, pasi nuk arritën të dilnin para mbylljes së pikës së vetme kufitare me Egjiptin.
“Situata atje është shumë e ndryshueshme dhe vlerësojnë se janë të ekspozuar ndaj rrezikut. Ne po punojmë, gjithashtu, me autoritetet në Egjipt për t’i liruar ata dhe më pas do të organizojmë transportin nga Egjipti. Mirëpo, për momentin nuk kemi si t’i nxjerrim nga Gaza”, tha Osmani.
Disa nga shtetasit maqedonas që gjendeshin në zonat e rrezikuara në rajonin e Gazës, të mërkurën në mbrëmje kanë arritur Athinë prej nga me autobus janë transferuar në kufirin e Maqedonisë së Veriut.
Sipas Osmanit, fillimisht fokusi ishte identifikimi, kontaktimi dhe nxjerrja e qytetarëve nga zonat e rrezikuara dhe më pas transportimi i tyre në Tel Aviv.
Osmani theksoi se një pjesë e qytetarëve të kthyer, kanë ardhur përmes Jordanisë, Shqipërisë, Turqisë, Malit të Zi dhe Serbisë, me ç’rast u shprehu mirënjohje autoriteteve të këtyre shteteve.
Maqedonia e Veriut i ka dënuar sulmet e militantëve të Hamasit ndaj Izraelit, ndërsa ka bërë thirrje për dialog për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
“Ne i dënojmë fuqishëm sulmet terroriste të Hamasit ndaj Izraelit. Mendimet tona janë me popullin izraelit, me të cilin solidarizohemi dhe ndajmë dhimbjen. Bëjmë thirrje për zgjidhje me dialog pasi bota ka nevojë për paqe”, thuhet në reagimin me shkrim të kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski. /Rel/