Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditën e mërkurë, do të pret në takim përfaqësuesit e subjekteve politike, në takimin që pritet të nis rreth orës 14:00, do të diskutohet për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
Në letrën që presidentja i ka shkruar kryeministrit Kurti, thuhet se zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen në periudhën 26 janar – 16 shkurt të vitit 2025.
Pjesëmarrja në takimin konsultativ tashmë është konfirmuar nga të gjitha subjektet politike por jo në nivel kryetarësh nga të gjithë.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka thënë për Telegrafin se do të marrin pjesë në takim.
“Po mund të ju konfirmoj se do të marrim pjesë në takim”, tha ai.
Por, Telegrafi nga burimet e veta mëson se në takim nuk do të jetë kryeministri Kurti, LVV-ja do të përfaqësohet nga nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca, i cili është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Gjithashtu, sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, para pak ditësh ka konfirmuar se do të marrin pjesë në takim.
“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë”, ka pohuar ajo.
Ndërsa, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka konfirmuar për Telegrafin se kanë marr letrën nga Presidentja dhe se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku do të shkojë në takim dhe aty do ta shpalos qëndrimin e partisë.
Në takim do të marrin pjesë edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Lajmin e konfirmoi zëdhënësii AAK-së, Kushtrim Xhemaili.
“Mund të ju konfirmoj që AAK do të marrë pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta”, tha ai.
Në takimin ku do të diskutohet për zgjedhje të reja parlamentare do të jetë edhe Mimoza Kusari – Lila e cila do të përfaqëson partinë e saj.
“Po, në cilësinë e kryetares së Alternativës, do të marrë pjesë nesër në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani”, deklaroi Kusari Lila për Telegrafin.
Ndryshe, për gjatë kësaj kohe, subjektet opozitare kanë kritikuar në vazhdimësi pushtetin, duke thënë se Qeveria Kurti nuk ka shënuar ndonjë sukses për këto tri vite qeverisje.
Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK.