Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në takimin me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach ka thënë se anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe mbi sfidat e sigurisë në rajon dhe përtej.
“Anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën”, citohet të ketë thënë presidentja.
Tutje, Osmani ritheksoi se përmes mekanizmave të ndryshëm që i ofron Këshilli do të mundësohej mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë, me theks të veçantë në veriun e vendit.