Osmani në samitin BE-Ballkani Perëndimor: BE po i bën padrejtësi Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kritikuar Bashkimin Evropian se është e “padrejtë” ndaj Kosovës në politikat e saj në Ballkanin Perëndimor, duke mos i hequr masat ndëshkuese ndaj saj dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok.

Duke folur pas mbërritjes në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, Osmani tha të mërkurën se “duket se ka tendenca në BE nga disa shtete anëtare që Kosova vazhdimisht të dënohet”, raporton REL.

Osmani foli edhe për çështjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se ato, pos që janë të “padrejta”, janë edhe “joevropiane” sepse, siç u shpreh ajo, “po dënojnë një popull 1.7 milionësh, i cili është populli më proevropian në rruzullin tokësorë me mbi 97 për qind të qytetarëve të sajë që mbështesin procesin e integrimit në BE”.

Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.