Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para takimit të Këshillit të Sigurimit ka realizuar një lidhje të drejtpërdrejtë përmes Facebookut nga New Yorku me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyhrete Tahirin.
Ajo ka thënë se këto katër heroina janë simbol i forcës, i guximit, i mbijetesës por edhe i sukseseve të Kosovës.
Osmani ka bërë të ditur se në mbledhjen e KS të OKB-së do ta përfaqësojnë vendin së bashku në mënyrë që të dëgjohet zëri i qytetarëve.
“Do ta përfaqësojmë së bashku Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Edhe pse është ndër mbledhjet e rregullta që mbahen për Kosovën, ne do të sigurohemi që të dëgjohet zëri i qytetarëve tanë. Do të sigurohemi që të dëshmojmë se Kosova është storie suksesi përkundër përballimit të dhimbjeve të shumta dhe sakrificës së jashtëzakonshme. Do të tregojmë edhe për rreziqet e sigurisë me të cilat ne po përballemi për shkak të veprimeve destabilizuese të Serbisë dhe po ashtu do të rrisim dhe do ta përsërisim kërkesën tonë të vazhdueshme për drejtësi. Fatkeqësisht 25 vjet pas luftës, akoma nuk ka drejtësi për 13 mijë viktima civile, nuk ka drejtësi për mijëra gra të dhunuara, për mijëra fëmijë që janë vrarë, e as përgjigje për mijëra të zhdukur me dhunë. Do të sigurohemi që e vërteta të dëgjohet dhe të mbrohet”, ka thënë ajo.