Osmani në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor

Presidentja Vjosa Osmani, ka udhëtuar të martën për në Bruksel, ku do ta përfaqësojë Kosovën  në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor që mbahet sot.

Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ajo do të diskutojë nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit në dritë të sfidave të vazhdueshme të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke filluar me mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

Në kuadër të samitit, Osmani poashtu do t’i informojë krerët e shteteve dhe të BE-së lidhur me situatën e sigurisë në vend, pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator.