Osmani në 22-vjetorin e masakrës në Studime: Viktimat do të prehen qetësisht kur Serbia të gjykohet dhe të kërkojë falje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar të ekzekutuarit e Masakrës së Studimes në 22-vjetorin e këtij krimi që ndodhi mbi shqiptarët, duke e cilësuar atë si një ndër masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë

Osmani është shprehur se 116 të masakruarit do të prehen qetësish kur Serbia të gjykohet për krimin dhe të kërkojë falje për të.

“Duke kujtuar viktimat dhe tmerrin e kryer ndaj tyre nga regjimi serb, ne e mbajmë të gjallë kujtimin për viktimat, dëshmojmë për historinë e dhimbshme tonën, por edhe e ritheksojmë përkushtimin tonë që të mos reshtim së kërkuari drejtësi për to, derisa ajo të vihet në vend. Vetëm atëherë ato do të prehen të qeta dhe ndërgjegjja jonë do të qetësohet. Vetëm kur drejtësia të vendosë me fuqinë e ligjit, kur shteti serb të gjykohet për krimin shtetëror dhe kur kërkimfalja të vijë nga pasardhësit e sotëm të regjimit të djeshëm të Milosevicit, viktimat e pafajshme do të prehen qetësisht”, është shprehur Osmani, transmeton KlanKosova.tv.

“Në këtë datë të vitit 1999, për më pak se 2 orë, paramilitarët, ushtarët dhe policët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë edhe një nënë shtatzënë”.

Ajo ka shtuar se dëshmitë flasin për masakër të planifikuar qysh më herët nga forcat serbe.

“Shumë janë ekzekutuar nga afër me gjakftohtësi të plotë, me një plumb në kokë, të tjerë janë shpuar me bajoneta ose janë ekzekutuar me automatikë. Në dhjetëra raste të ekzekutuarve u janë gërvishtur në trup simbole serbe”.