U.d. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, në shenjë nderimi për viktimat ka vendosur buqetë lulesh te pllaka përkujtimore për hebrenjtë, e cila ndodhet në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
Ajo ka thënë se gjenocidi ndaj hebrenjve është barbaria më e madhe që njeh historia njerëzore deri më sot.
“Sot, duhet ta kujtojmë dhe të ndihemi krenar për ndihmën të cilën shqiptarët i dhanë komunitetit hebraik në vitet e trishtimit. E përderisa kujtojmë kalvarin e hebrenjve, nuk ka si të mos përmendet edhe ndihma e shtetit izraelit ndaj kosovarëve të dëbuar dhunshëm në luftën e vitit 1999”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani.
Sipas zonjës Osmani Holokausti do të kujtohet përgjithmonë.
“Përkujtimi i Holokaustit është riafirmim i të vërtetës, një nevojë prej së cilës nuk duhet të hiqet dorë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani.