Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se në takim me homologun e saj slloven, Borut Pahor, ka treguar se Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë, por ka shtuar se statusi i Kosovës është mbyllur më 17 shkurt 2008.
“Sllovenia edhe si partner në Bashkimin Europian dhe si partner i rajonit ka mbështetur çdo proces që e shtyn Kosovën dhe rajonin tonë përpara. Prandaj, unë e potencova gatishmërinë që Kosova të jetë pjesë e dialogut në Bruksel gjithnjë duke pasë parasysh që statusi i Kosovës është përcaktuar një herë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008 dhe po ashtu kufijtë e vendit tonë dhe rregullimi jonë i brendshëm janë përcaktuar një herë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008”.
“Kosova do të ulet në tavolinë për të trajtuar çështje që vërtet kanë rëndësi për njerëzit tanë si çështja e personave të zhdukur, një plagë akoma e hapur, që duhet të jetë prioritet mbi prioritete në procesin e dialogut”.
Ajo, në konferencë për media bashkë me Pahor, ka thënë se kanë biseduar edhe për përgatitjet për samitin e Bërdo-Brionit.
“Ishte vizitë punë me qëllim që të bëjmë përgatitjet e nevojshme për procesin e Bërdo-Brionit që do të mbajë takimin e radhës dhe për të shënuar 10 vjetorin e këtij procesi, në Bërdo më 17 maj, ku unë do ta përfaqësoj Republikën e Kosovës. Diskutuam për temat që pritet të trajtohen aty, me theks nevojën për bashkëpunim rajonal dhe përshpejtim të procesit të integrimit evropian të gjithë rajonit tonë. E sigurova presidentin [Borut] Pahor se Kosova e ka procesin e integrimit evropian prioritet mbi prioritetet, sepse përveç se është pjesë e preambulës së Kushtetutës tonë është po ashtu vullnet i popullit tonë, prandaj reformat që duhet të ndërmerren si pjesë e këtij procesi nuk i shohim si çështje të imponuara, por janë reforma që janë në të mirë të qytetarëve tanë, sepse kanë të bëjnë me sundim të ligjit, arsim dhe shëndetësi më të mirë dhe kanë të bëjnë me paqe e stabilitet si vlera të përbashkëta europiane për të cilat populli i Kosovës ka luftuar e ka dhënë kontribut përherë”.
Osmani ka thënë se me homologun e saj nga Sllovenia ka folur edhe për liberalizimin e munguar të vizave për kosovarët duke shtuar se BE-ja duhet ta mbajë premtimin e dhënë.
“E potencuam qartë se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave dhe tani i takon BE-së që ta mbajë premtimin. Kosova jo vetëm që ka plotësuar kriteret, por ka plotësuar dyfishin e numrit të kritereve krahasuar me çdo vend tjetër të rajonit dhe tani është në një pritje të gjatë ku qytetarët tanë po mbahen të mbyllur për dallim prej të tjerëve që kanë përfituar nga ky proces”.
“E potencova se dhënia e liberalizimit të vizave tash së shpejti do të ishte incentivë e mirë për secilin proces në të ardhmen, sepse do ta ngriste kredibilitetin e BE-së në Kosovë dhe më gjerë”.
E para e shtetit ka kërkuar nga presidenti slloven që ta mbështesin Kosovës, qoftë në mënyrë simbolike, në luftën me pandeminë COVID-19.
“E njoftova presidentin e Sllovenisë për faktin se akoma kemi nevojë për mbështetje sa i përket vaksinave dhe shpresoj shumë që Sllovenia do ta ndihmojë Kosovën, qoftë edhe në mënyrë simbolike, si afirmim i marrëdhënieve të shkëlqyeshme dhe miqësisë së fortë ndërmjet dy vendeve tona, sepse siç thotë populli “Miku i mirë gjithmonë gjendet në ditë të vështira” dhe Sllovenia ka ditur gjithmonë t’i qëndrojë krah Kosovës në ditë të vështira dhe shpresoj që këtë ta vazhdojë ta bëjë duke e ndihmuar edhe që të përballet me pandeminë”.