Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, është shumë i afërt me vendin pasi ka punuar edhe më parë këtu, me ç’rast i kupton dinamikat e zhvillimeve.
Në ditën kur Hovenier mori detyrën zyrtare, Osmani tha se Kosova ka ecur shumë përpara, mirëpo ka qëndruar konsistente përherë me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne jemi rritur e zhvilluar si vend sepse jemi të bekuar ta kemi SHBA-në pranë nesh. Roli i ambasadorit është thelbësor që marrëdhënia jonë të vazhdojë të lulëzojë. Në këtë kapitull të ri shpresoj t’i forcojmë marrëdhëniet tona dypalëshe, t’i shtyjmë idealet dhe vlerat demokratike që ne besojmë”, deklaroi Osmani.
Ajo tha se Kosova beson në vlera demokratike dhe ato do t’i mbrojë.
“Ne mund të arrijmë gjëra të përbashkëta. Nuk do të keni asnjëherë aleatë më të përkushtuar se Kosova. Mirë se vini dhe mezi pres që të punojmë së bashku”, shtoi tutje.
Ambasadori Hovenier deklaroi se është nder të shërbejë në Kosovë dhe do ta përcjellë përkushtimin e SHBA-së për vendin tonë.