Çështja e hapjes së Urës së Ibrit vazhdon të jetë një temë e nxehtë aktualisht në Kosovë.
Autoritetet e Kosovës kanë nisur të kryejnë inspektime në urë dhe kanë paralajmëruar hapjen e saj, pavarësisht se faktori ndërkombëtar beson se tani nuk është koha e duhur.
Madje Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me presidenten Vjosa Osmani, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë.
Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Osmani.
“Konfirmojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me Presidenten, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë, të cilët çdoherë kanë dalë në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe jetës së qytetarëve tanë”, ka thënë Kupina.
Ai ka shtuar se SHBA-të asnjëherë në takime me presidenten nuk janë shprehur kundër hapjes së urës.
“SHBA-të asnjëherë, në takimet që kemi pasur, nuk i kanë shprehur Presidentes qëndrim kundër hapjes së urës, por thjeshtë kanë kërkuar bashkëpunim në përcaktimin e momentit më të përshtatshëm nga aspekti i sigurisë dhe ndërtim të një plani të përbashkët për zbatimin e hapjes së urës, që është në interes të të gjithë qytetarëve tanë”, shtoi Kupina.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se hapja e urës në këtë kohë rrezikon ushtarët amerikanë, andaj nuk duhet të hapet.
Ndërkaq Bashkimi Evropian ka planifikuar që ta vendosë çështjen e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ndaj kësaj deklarate të BE-së, kishte reaguar menjëherë presidentja Osmani.
“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”, kishte deklaruar Osmani më 1 gusht.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje.