Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ka kërkuar që të rritet më shumë bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në takimin që e pati sot me senatorët amerikan.
Ajo, në një konferencë për media pas takimit, ka deklaruar se senatorët i ka lajmëruar për shkeljet që është duke bërë Serbia në procesin e dialogut me Kosovën.
“Në këtë takim shpreha nevojën e rritjes së bashkëpunimit ushtarak me ShBA-në sepse bashkëpunimi i ynë i deritanishëm ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme edhe në vend edhe jashtë kufijve tanë. Për më tepër, kam kërkuar përkrahje sa i përket integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Anëtarësimi do të ishte një veprim i qartë në favor të paqes në rajon”, ka pohuar Osmani.
“Në kuadër të diskutimit për dialogun, senatorët i njoftova për listën e gjatë të shkeljeve të Serbisë. Për mua kjo nuk është një temë e thjeshtë administrative se kush e ka listën më të gjatë të obligimeve të pazbatuara”.
“Kjo ka të bëjë me paqe dhe stabilitet, gjë që ShBA-të kanë dhënë kontribut jashtëzakonisht shumë. Kjo ka po ashtu ka të bëjë me sigurinë e rajonit tonë dhe mbrojtjen e rajonit tonë nga tendencat destabilizuese”, ka thënë Osmani.