Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot priti në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, njëherësh përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të diskutuar mbi zhvillimet në dialog dhe se si mund të ecet përpara me dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidencës, thuhet se Osmani theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit.
Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.
“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, potencoi ajo.