Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 26-vjetorin e nisjes së Epopesë së UÇK-së në Prekaz, ka thënë se kjo ditë rikthen kujtimet e periudhës më të lavdishme të historisë që lidhen me përpjekjet për liri e pavarësi.
“’Sërish vjen marsi’, nuk është më vetëm një refen kënge, por moto e luftës tonë për liri e pavarësi që identifikohen me kryepersonazhin e luftës tonë, Adem Jasharin dhe familjen e tij”, është shprehur Osmani në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, njofton KlanKosova.tv.
“Më 5,6 dhe 7 mars, Ademi, Hamza treguan heroizëm dhe sakrificë të pashoq duke mbrojtur pragun e shtëpisë që tyre, e pragu i shtëpisë së tyre simbolizonte vetë Kosovën.
Osmani ka thënë se shteti i Kosovës qëndron mbi supet e heronjve.
“Epopeja e UCK-së përcaktoi fatin tonë si popull dhe shtet. Adem Jashari ishte vizionar, ndërkaq guximi i tij nuk njihte kufi”.
“Tani më shumë se kurrë uniteti për çështje të interesit kombëtar është i domosdoshëm si mjet për ta forcuar integritetin dhe kujtimin e atyre që u sakrifikuan për lirinë tonë. Kosova është atdheu ynë që meriton çdo ditë përkushtimin tonë të palëkundur”, është shprehur Osmani.