Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sërish për ndikimin që Rusia ka në rajon, përmes siç tha ajo, “trampolinës së saj, Serbisë”.
Osmani foli më 15 dhjetor pas takimit që zhvilloi me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili qëndroi në Prishtinë.
“Kosova dhe rajoni ballafaqohen me rreziqe të mëdha për shkak të tendencave destabilzuese të Rusisë nëpërmes Serbisë. Kosova është e përkushtuar jo vetëm të refuzojë ndikimet dashakeqe, por edhe të bashkëpunojë me partnerët tanë që të parandalohen ndikimet e këtilla destabilizuese. Rajonit i duhet ecje me hapa konkretë drejt integrimit evropian, por edhe paqe e stabilitet afatgjatë. Por, krejt kjo dëmtohet nëse ndikimi i Rusisë rritet nëpërmes trampolinës së saj, Serbisë”, tha Osmani.
Ndërkaq, iniciativa “Ballkani i Hapur”, sipas presidentes së Kosovës, nuk u ndërtua mbi parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor. Po ashtu, sipas Osmanit, kjo iniciativë nuk e pranon trajtimin e barabartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Përderisa Serbia nuk e trajton Kosovën mënyrë të barabartë në iniciativa rajonale, atëherë shohim se Serbia do zgjerim të interesave të saj hegjemoniste. Kosova ka rezerva të mëdha sa i përket aspekteve politike të kësaj iniciative, por edhe sa i përket ekonomisë e sigurisë sepse synimi është të përdoret njëfarë paradhome që të zvarritet procesi e integrimit evropian”, deklaroi Osmani.
Rezerva ndaj “Ballkanit të Hapur” kishte edhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski. Ai tha se kjo iniciativë nuk mund të ketë sukses përderisa në të nuk janë të përfshira të gjitha vendet e Ballkanit Perëndor.
Pendarovski shtoi se “Ballkanin e Hapur” e ka parë me dyshime qëkur është lansuar më 2019.
Në këtë nismë bëjnë pjesë Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
“T’ua rikujtoj se kur nisi si iniciativë në vitin 2019, unë isha politikani i parë që shpreha rezerva. Kësaj iniciative i mungon diçka, në vend se të jenë gjashtë shtetet, janë vetëm tre. Derisa kjo iniciativë nuk i përfshin të gjitha shtetet nuk do të suksese. Qëndrimi im është se mund të jetë vetëm një nga mjetet për përmirësim tregtar e ekonomik, por jo politik. Mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë. Procesi i Berlinit është iniciativë që ka institucione, ka resurse që ‘Ballkani i Hapur’ nuk i ka”, tha Pendarovski.
Sa u përket raporteve me Maqedoninë e Veriut, Osmani e falënderoi presidentin Pendarovski për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovën në procesin e integrimeve evropiane, por edhe në NATO, aty ku Maqedonia e Veriut tashmë është anëtare.
“E falënderoj gjithë shtetin për kontributin e dhënë që Kosova të ecë përpara, për mbështetje që na jep për anëtarësimi në organizata ndërkombëtare aty ku Ksova edhe e ka vendin, por edhe për kontributin në kuadër të misionit të KFOR-it”, tha Osmani.
Presidentja Osmani përmendi edhe çështjen e vizave për Kosovën, duke thënë se shteti tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet, por Bashkimi Evropian ende nuk e ka mbajtur premtimin.
Në anën tjetër, presidenti Pendarovski gjatë fjalimit të tij u përqendrua te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se dialogu mbretet zgjidhja e vetme drejt stabilitetit në rajon.
“E dimë që procesi është i vështirë dhe i komplikuar, por shtetet e rajonit me qëllim të mirë e mbështesin zgjidhjen e kontestit. Maqedonia e Veriut do të mbështesë marrëveshjen finale mes dy vendeve sepse sipas nesh ajo do të kontribuojë në stabilitet në rajon”, tha ai.
Bisedimet për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qysh në vitin 2011. Që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh, porse shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.
Dialogu u ndërpre disa herë për arsye të ndryshme. Por, së fundmi pengesë në dialog u bë marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës.
Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja palët.
Osmani është pyetur edhe për “grupin e Kumanovës”, me ç’rast tha se janë të gatshëm ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut për të hapur një hetim ndërkombëtar në lidhje me këtë rast.
“Duhet të presim që procesi të përfundojë e të zbardhen të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin. Rasti ndodhet në Gjykatën Supreme dhe pasi të merret vendimi, Supremja ezaurohen të gjitha mjetet juridike sa i përket procesit. Edhe kryeministri (i Maqedonisë së Veriut, Zoran) Zaev shprehi gatishmëri për hetim ndërkombëtar ose përfshirje të ekspertëve nga jashtë që rasti të zbardhet. Kosova do të ofrojë mbështetjen e nevojshme”, theksoi Osmani.