Osmani do të mbajë fjalim në SHBA në Lutjet Nacionale të Mëngjesit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbajë fjalim në SHBA si e ftuar speciale në Lutjet Nacionale të Mëngjesit, ka njoftuar Presidenca. 

Presidenca ka thënë se Osmani ka udhëtuar në Washington me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë. 

“Në kuadër të kësaj ngjarjeje, e cila mbledh mijëra kongresistë, politikanë, biznesmenë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga mbarë bota, Presidentja Osmani do të mbajë fjalimin kryesor nga përfaqësuesit ndërkombëtar në kuadër të Drekës Ndërkombëtare. Me këtë rast, ajo do të flasë për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga ditët më të vështira deri te sukseset e sotme, duke theksuar besimin e pashoq dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve tanë”, është njoftuar nga Presidenca. 

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se Osmani do të takohet me  Louis L. Bonon, zyrtarin e lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

“Gjatë qëndrimit në Ëashington, Presidentja Osmani do të zhvillojë gjithashtu takime me kongresistë amerikanë dhe zyrtarë të administratës së SHBA-së, me fokus në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe avancimin e aspiratave euroatlantike të vendit tonë”, tha Osmani.

Lutjet Nacionale të Mëngjesit janë një traditë gjashtëdekadëshe, ku çdo vit mblidhen zyrtarët më të lartë amerikanë, anëtarë të Kongresit, politikanë dhe udhëheqës ushtarakë, si dhe mysafirë nga shumë vende të botës për lutje të përbashkëta.