Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta dërgojë një përfaqësues të kabinetit të saj në takimin e ftuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, për të diskutuar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltari i presidentes.
Ai ka thënë shkurt për KOHËN se presidentja do ta dërgojë përfaqësuesin në takimin e 31 janarit.
Të premten, kryeministri Albin Kurti u shpreh se nuk ka marrë ftesë për këtë takim. Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Ambasada e SHBA-së do të mbledhë grupe të ndryshme nga shoqëria civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë, siç thuhet, për të diskutuar për këtë temë të rëndësishme.
Kurti deri tash ka refuzuar të diskutojë për Asociacionin, duke insistuar që dialogu të zhvillohet për marrëveshjen finale e cila në qendër ka njohjen reciproke.