Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz do të marrin pjesë në Forumin Diplomatik në Antali të Turqisë.
Në kuadër të këtij Forumi, Osmani dhe ministrja Gërvalla do të takohen me homologë nga disa vende të botës, pjesëmarrëse në këtë Forum.
Ato do të marrin pjesë në disa panele të këtij Forumi.
Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë, opinionbërës dhe akademikë. Tema e këtij viti e Forumit të Diplomacisë së Antalisë është “Rikodimi i diplomacisë”.
Ky Forum do t`i zhvillojë punimet prej 11 deri më 13 mars dhe do të marrin pjesë përfaqësues nga rreth 70 shtete.