Osmani: BE-ja të ketë qasje të balancuar në dialog, në disa raste nuk e kishte

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se shpreson që ndërmjetësuesi Bashkimi Evropian do të ketë qasje të balancuar në dialogun Kosovë – Serbi.

Osmani ka thënë se BE-ja në disa raste nuk ka pasur qasje të balancuar. Ajo ka thënë nga selia e NATO-s në Bruksel se do t’i bëjë thirrje aleatëve që të sigurojnë qasje të balancuar.

“Takimi i ardhshëm i dialogut do të mbahet më 14 shtator. Kosova gjithmonë ka qenë palë konstruktive, fatkeqësisht e vetmja palë konstruktive në atë proces. Lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga Serbia është shumë e gjatë, nuk duhet të thellohem në këtë. Shpresat tona janë të ketë një qasje të balancuar së paku nga ndërmjetësit e BE-së, si parakusht për suksesin e procesit. Ka pasur momente kur se kemi parë këtë balancë, dua t’i bëjë thirrje gjithë aleatëve dhe partnerëve tanë, që të sigurojnë këtë lloj balance. Ta sigurojmë parimin e barazisë së plotë, e pozicionimit të plotë të palëve në proces, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme e rezultate që i kontribuojnë paqes e sigurisë në rajon”, tha Osmani.

Ajo ka thënë në konferencë të përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se marrëveshja e Brukselit duhet zbatuar e plotë dhe pa kushte.

“S’ka asnjë nen më me rëndësi se tjetri”, ka thënë Osmani, ndërsa ka shtuar se Serbia vazhdon ta shkelë marrëveshjen.