Organizatori i Marshit për Drejtësi: Konjufca më tha që merr pjesë në marsh, por për pjesën e fjalimit më tha “më lër ta mendojë”

Marshi në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së mblodhi afro 100 mijë marshues në kryeqytet, një ditë parafillimit të procesit gjyqësor në Hagë. Organizatori i saj, Ismail Tasholli ka deklaruar se ndonëse Kryeparlamentari Konjufca kishte konfirmuar pjesëmarrjen, i njëjti kishte thënë se do mendohej për pjesën e të mbajturit një fjalim

Organizatori i Marshit për Drejtësi, Ismail Tasholli ka thënë se kishte kontaktuar personalisht me kryeparlamentarin Glauk Konjufca duke i kërkuar të njëjtit të merrte pjesë në marshin për liri me ç’rast, të mbante një fjalim publik.

I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Tasholli ka treguar përgjigjen e Konjufcës.

“Kam kontaktuar personalisht me Glauk Konjufcën I kam thënë  ‘zotëri faleminderit shumë për përkrahjen. A bën me marrë pjesë në rendin e parë me mua aty?’. Edhe një kërkesë tjetër. ‘A bën me fol ti në binë sepse do të ishte shumë e rëndësishme që qytetarët të marrin mesazh unifikimi edhe prej pozitës, edhe prej opozitës për një temë që nuk duhet të na ndajë’… Glauku më tha që me marrë pjesë do të marrë pjesë për me mbajt fjalimin do t’a mendojë”, ka treguar Tasholli.