`Orfeu`sjell botimin e ri: `Radio, nga valët në rrejt` nga Gjylie Rexha

Botimet “Orfeu” nga Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se sapo e ka botuar librin e gazetares dhe pedagoges së Gazetarisë dhe Komunikimit, dr. Gjylie Rexha: “Radio, nga valët në rrejt”.

Brenda këtij libri autorja Rexha ka sintetizuar njohuritë e saj mbi “medien e sfondit”. Ky libër trajton radion në funksionin e saj gjithëpërfshirës, duke iu kundërvënë të gjitha teorive dhe qasjeve që kanë parashikuar “vdekjen” e saj.
Por më shumë se kaq, libri i Rexhës në radhë të parë është një manual i përsosur për Radiogazetarinë, që përmban njohuri teorike, të ndërthurura me këshilla praktike dhe shembuj ilustrues për zhanret kryesore në punën e përditshme në radio, që prej formave më të thjeshta (radio-lajmi) e deri te ato më të ndërlikuarat (radio-dokumentari). Në kapituj të veçantë trajtohet procesi i transformimit të radios, nga media masive e shekullit të kaluar, në media “në rrjetin e rrjeteve” në shekullin e “Revolucionit digjital”.  
E veçantë e këtij libri, ndërkaq, është edhe gjuha të cilën e ka përdorur autorja Rexha: e saktë, e figurshme dhe e thjeshtë. 
Si i tillë ky libër gjen lexuesit e vet që prej studentëve të Gazetarisë e deri te hulumtuesit empirikë të fushës se medies dhe komunikimit. 
Recensenti, dr. Haxhi Shabani, ka shkruar në vlerësimin e tij se “libri i Gjylie Rexhës nuk ka fjalë të tepërta, po as fjalë që i mungojnë”. Kurse recensenti tjetër, Ismet Kallaba, ka vlerësuar se ky libër nuk është vetëm  një titull që i shtohet fondit shkencor të literaturës së medies dhe komunikimit, por dhe një doracak shumë praktik të cilin gazetarët duhet ta mbajnë çdo herë afër gjatë punës së tyre.  
Gjylie Rexha më parë ka botuar: “Etosi i humbur-Politika dhe media publike e Kosovës” (“Orfeu”, 2018, Prishtinë), “Politics and publik media in Kosovo (LAP- Lambert Academic Publishing, 2019,  si dhe e punimeve shkencore.