Votimi për apo kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë të katër komunave veriore që është mbajtur të dielën, nga opozita është parë si “ditë që nuk ka zgjedhur asgjë”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se Kosova e ka vendosur veten në një kurth të panevojshëm, teksa Serbia po përfshihet gjithnjë e më shumë në çështjet e brendshme të saj.
“Kosova e ka vendosur veten në një kurth të panevojshme me një çështje të tillë, pra sot fatkeqësisht po jemi në problemin e njëjtë dhe po e shohim edhe më shumë involvimin e presidentit të vendit fqinj në çështjet tona të brendshme, që është e papranueshme. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i hapë sytë lidhur me këtë involvim që është shumë i dëmshëm. Dita e djeshme nuk ka zgjedhur asgjë. Vazhdojmë të kemi situatë shumë të pafavorshme sepse BE-ja vazhdon t’i shohë si kryetarë jolegjitim njerëzit që janë zgjedhur me 2-3% të votave të atyre qytetarëve. Se si do të ecë procesi tutje, ajo çka ne kemi kërkuar në vazhdimësi është të hiqen sa më parë masat e BE-së sepse dëmi po i bëhet qytetarëve jo kryeministrit e ministrave”, ka thënë ai në adresimin për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Edhe shefi i GP-së së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se me zhvillimet e së dielës është kuptuar që Serbia ende ka ndikim të madh te komuniteti i serbëve të Kosovës.
“Serbia duhet njëherë e përgjithmonë ta kuptojë se Kosova ka rregull të vet kushtetues, ligjor. Dje u pa që ndikimi i Serbisë te komuniteti i serbëve të Kosovës në atë pjesë të Kosovës është ende shumë i madh. Frikësimi, presioni politik, ndikimi politik i presidentit Vuçiq vazhdon të jetë me ndikim. Kosova duhet ta ushtrojë sovranitetin e plotë në atë pjesë të Kosovës”, ka theksuar ai.
Ndërsa, shefja e GP-së së partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se pas votimit të së dielës është e qartë që pengesa kryesore e integrimit të komunitetit serb në Kosovë është Serbia.
“Nuk ka pasur as diskriminim, as presion në asnjë mënyrë e as formë nga institucionet e vendit. Edhe organizimi i djeshëm është vlerësuar si i drejtë, korrekt dhe profesional nga të gjitha nivelet. Aktualisht nëse pyeten drejtuesit e vendeve të BE-së se cilat janë argumentet për mbajtjen masave ndaj Kosovës, nuk ka të tilla. Nuk mund të mbetet në fuqi diçka e paqëndrueshme në raport me kërkesat që i janë bërë Republikës së Kosovës për arsye se tashmë janë përmbushur të gjitha”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se seanca e radhës e Kuvendit do të mbahet të enjten e 25 prillit nga ora 10:00.