Në konferencat për media që i kanë mbajtur pas dështimit të seancës së jashtëzakonshme të cilën opozita e kishte thirrur për të diskutuar për procesin e furnizimit me tekste shkollore, përfaqësuesit e partive opozitare kanë paralajmëruar se do të ngenë kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se Nagavci është përgjegjëse për privimin e 210 mijë nxënësve nga pasja e teksteve shkollore dhe mosrealizimin e kompetencave ligjore.
Pasi seanca dështoi në mungesë të deputetëve të pushtetit, Tahiri ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje do të duhej të ishte e pranishme në seancë dhe të diskutohej për çështjen e librave.
“Nuk ka gjë më të arsyeshme se sa sot të hapej sesioni vjeshtor në Kuvendin e Kosovës për një çështje që është jetike dhe e prek ardhmërinë e vendit tonë, pra që i prek 210 mijë nxënës që janë e ardhmja e këtij vendi. Sot ju po e shihni që tani e tutje vërtetë nuk ka as edhe një arsye të vetme që kjo legjislaturë ta vazhdojë punën. Janë duke e degraduar Kosovën në secilin rrafsh të mundshëm. Goditja e fundit është goditje që i dhanë arsimit. Dhe sot ata nuk u turpëruan nga ne që nuk erdhën në këtë seancë, ata u turpëruan nga prindërit, nga nxënësit, nga qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse çka do të thoshin. Ishte e tmerrshme ajo që dëgjuam në konferencës në arsyetimin e tyre”, tha ai.
Ai deklaroi se do të bëjnë kallëzim penal për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci. Sipas tij, kjo e fundit ka bërë shkelje penale, për çka, siç tha ai, do të ndiqet penalisht.
“Në buxhetin e këtij viti këta e kanë edhe të buxhetuar. Sot ne do t’i bëjmë kallëzim penal ministres së Arsimit, sepse është përgjegjëse direkte për privimin e 210 mijë nxënësve, duke mos realizuar një kompetencë të saj ligjore. Ne do t’i bëjmë një kallëzim penal ministres në këtë rast. Dhe u bëjmë thirrje të gjithë prindërve që të ushtrojnë kallëzim penal në bazat e tyre private për privimin e fëmijëve të tyre për tekstet shkollore”, shtoi ai.
Shefi i deputetëve të PDK-së tha se do të angazhohen maksimalisht që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Si Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike do të angazhohemi maksimalisht që vendin tonë ta qojmë në zgjedhje. Kësaj legjislature t’i japim fund. Pra, kjo legjislaturë krejt çfarë bën është krijon shpenzime financiare në dëm, në kurriz të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe nuk bën as edhe një punë të vetme të mirë për ta, përkundrazi e karakterizojnë dështime dhe probleme jashtëzakonisht të mëdha”, deklaroi ai.
Kallëzim penal ndaj Nagavcit ka paralajmëruar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.
Gashi vendimin për subvencionim të prindërve për blerjen e librave shkollore e ka quajtur antiligjor, teksa Qeverinë e ka quajtur të paaftë për ta menaxhuar situatën e teksteve shkollore.
Në një konferencë për medie, Gashi ka thënë se ky “keqmenaxhim” u ka shkaktuar dëme ekonomike e emocionale prindërve.
“Ata u sollën në mënyrë jo institucionale, duke i pamundësuar Kuvendit që të shohë se ku janë problemet në lidhje me librat dhe cilat janë veprimet dhe mosveprimet që i ka bërë Qeveria. Qeveria është në shkelje të ligjit për tekste shkollore dhe në shkelje të ligjit parauniversitar. Kjo është një shkelje shumë e rëndë që Ministria po e bën dhe për këtë do të përballen sipas gjitha gjasave edhe me ndjekje penale ministrja e Arsimit. Mendoj që paaftësia e qeverisë për ta menaxhuar këtë proces ka shkaktuar një dëm të madh ekonomik dhe dëm emocional për prindërit dhe nxënësit i cili është dëm pariparueshëm”, ka thënë ai.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se bojkoti i partisë në pushtet dëshmon se vendimi për mossigurimin e librave, por kompensimi i tyre, është i dëmshëm dhe antiligjor.
Ai para gazetarëve tha se deputetët e mazhorancës me bojkotin e tyre të seancës së sotme të jashtëzakonshme tentuan që ta mbulojnë “marrën” që e ka bërë ekzekutivi me këtë vendim.
“Sot është vërtetuar se shumica parlamentare nuk dëshiron të ballafaqohet me të vërtetën dhe nuk dëshiron t’i ballafaqojë faktet të cilat ndërlidhen drejtpërdrejtë me vendimin e fundit të qeverisë për librat shkollorë. Ne kemi qenë të përgatitur për të dokumentuar se shuma e cila është paraparë nuk mjafton për blerjen e librave. Të njëjtën kohë kjo shumë as nuk i përmbush nevojat e nxënësve. E dyta vendimi i qeverisë bie ndesh me ligjin në fuqi ku thuhet se shteti duhet t’i siguroj librat. Pra ka rënë ndesh dhe fatkeqësisht për buxhetin e Kosovës barra buxhetore është rritur dy herë. Këtu humbësit e vetëm janë nxënësit dhe zinxhiri që përbënë përkujdesin ndaj nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit…Sot një temë e një rëndësie të veçantë bojkotohet me të vetmin qëllim që të mbulojnë marrën që kjo qeveri e ka bërë me këtë vendim”, ka theksuar Tahiri.