Deputetët e opozitës e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, ku është paraparë të mbahet seanca plenare.
Këtë e kanë bërë në shenje revole për vlerën e koeficientit të pagave prej 105 eurove, që është votuar të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria që ta rishqyrtojë këtë vlerë.
“Ne si Grup Parlamentar i PDK-së shprehim zhgënjimin me përcaktimin e koeficientit. Ky ëhstë një koeficinet i mjerimit e thellon varfërinë. I demotivon të rinjtë e të rejat, prandaj mendoj që vazhdimi i kësaj seance është i pakuptimtë. Kërkojmë nga Qeveria që ta rishqyrtojë këtë koeficient. Si Grup Parlamentar në shenjë revolte sot nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë seancë”, është shprehur Tahiri.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka thënë se koeficienti i pagave nuk adreson as për së afërmi çështjen e inflacionit.
“Në një Qeveri ku glorifikohet Oliver Ivanoviq, një person i dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, nga një Qeveri e cila e mbron krimin e korrupsionin e Martin Berishajt, nga një Qeveri e cila dyfishon tatimin në pronë e dëmton qytetarët e Kosovës, nga një qeveri e cila kap shtetin, siç ishte rasti i fundit me RTK-në, s’besoj se është dashur të pritur më shumë e as më pak me u zhgënjye. Është ditur dhe është pritur që kjo qeveri që glorif8il0on krimin ndaj shqiptarëve, që mbron korrupsionin e Berishajt e shumë tjerëve, që rrit tatimin ndaj qytetarëve të Kosovës, e nuk merr asnjë masë që lehtëson jetën e qytetarëve të Kosovës, s’mund të presësh të ketë zgjidhje për pagat në sektorin publik. Koeficienti i pagave as për së afërmi nuk adreson çështjen e inflacionit që ndodhi këto dy vjet, ku jeta e qytetarëve të varfër të Kosovës është bërë ferr. Të paktën është dashur të adresojë inflacionit, i cili për produkte bazë ka arritur rreth 80 për qind., Në këto rrethana s’besoj se është normale të fillojë seanca, sikur s’ka ndodhur asgjë. Dhe mos na konsideroni si pjesë të kuorumit për të filluar seancën”, ka theksuar Gashi.
Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, Qeverinë Kurti e ka quajtur Qeveri të mashtrimeve.
“Nga këto veprime të Qeverisë keni ardhur në Qeveri me mashtrime. Po vazhdoni të mashtroni ju nuk dini gjë tjetër vetëm të mashtroni. Po a po ju vjen turp se kur është miratuar për herë të parë me koeficient 129 keni qenë ju që nuk e keni përkrahë. Është dashur të ketë diskutim publik për atë koeficient por ju e keni mbajtur fshehtë. Në këtë gjendje ekonomike dhe sociale nuk ju ndihmoni qytetarëve”, ka deklaruar Kadrijaj.