Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për tekstet shkollore

Deputetët e partive opozitare kanë dorëzuar të premten në Kuvend kërkesën për seancë të jashtëzakonshme parlamentare për 4 shtator për siç kanë thënë “dështimin e Qeverisë për të siguruar tekstet shkollore për nxënësit”.

Kërkesa është publikuar nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha e cila njëherazi është edhe anëtare e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport. Ajo ka thënë se Kuvendi duhet të ndërpres pushimin e t’i kthehet punës.

“Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente.

Prandaj, ne, deputetët e opozitës – anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, kemi iniciuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit e cila do të mbahet të hënën, më 04 shtator”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, “shkollat janë të papërgatitura, nxënësit nuk kanë tekste shkollore e materiale mësimore, ndërsa familjet e prindërit janë të braktisur”.

“Mbi 200 mijë nxënësve nuk do t’iu ofrohen në shkolla tekstet falas, ashtu siç e përcakton ligji dhe ashtu siç ka ndodhur për më shumë së një dekadë”, ka shkruar ajo, krahas kërkesës.

Image