Për t’i mbështetur përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shtetet aletate po kërkojnë ndërmarrjen e hapave konkret për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Mirëpo, Qeveria e Kosovës nuk do ta pranojë këtë kusht në këmbim për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës, tha të mërkurën kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Njëjtë po deklaron edhe Alban Bajrami nga LVV-ja ku thotë se themelimi i Asociacionit nuk ka për të ndodhur as për KiE-në dhe as për ndonjë organizatë tjetër.
Por ndryshe po e sheh opozita. Sipas tyre, Kurti po mundohet të manipuloj sepse ai ka pranuar Marrëveshjen me aneksin e Ohrit, dhe se po mundohet të manipuloj me votuesit, pasi sipas tyre, këtë vit do të ketë zgjedhje në vendin tonë.
Bajrami i VV-së: Asociacioni s’ka për të ndodhur, as si kusht për KiE, as për asnjë Këshill tjetër
Alban Bajrami nga Lëvizja Vetëvendosje thotë për “Front Online” se themelimi i Asociacionit nuk ka për të ndodhur as për Këshillin e Evropës e as për ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare.
“Themelimi i Asociacionit nuk ka për të ndodhur, as si kusht për këshillin e Evropës, as për asnjë Këshill tjetër të Evropës, për sa kohë nuk ka marrëveshje finale me Serbinë”, thotë ai.
Bajrami thotë se asnjë organizim ndërkombëtar nuk është më i rëndësishëm se integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës.
“Në qoftë se ka marrëveshje finale që e përfshinë marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe marrëveshjen aneks të Ohrit aty mund të ketë Asociacion me kompetenca jo ekzekutive, përndryshe asnjë organizim ndërkombëtar nuk është më i rëndësishëm se integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës. Kështuqë, kushtëzimet me Asociacion nuk kalojnë”, theksoi Bajrami.
Në fund ai tha se, qeveria dhe kryeministri Kurti nuk besojnë se Asociacioni duhet të jetë i ndërlidhur me anëtarësimin në KiE.
Haziri: Kërkesat shtesë për anëtarësim në KiE si pasojë e mos përfaqësimit të mirë të interesit të Kosovës
Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, lidhur me themelimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE, thotë për “Front Online” se kryeministri Kurti duhet ta zbatojë Marrëveshjen që vet ai personalisht e ka nënshkruar, që njihet si marrëveshja Kurti-Vuçiq të 28 shkurtit 2023 në Bruksel.
Haziri thotë se kërkesat që kanë avancuar në demarsh nga shtetet partnere për anëtarësimin në KiE është çështje e mos menaxhimit të mirë dhe mos përfaqësimit të mirë të interesit të Republikës së Kosovës.
“Kjo nuk ka të bëjë me pozicione politike të partive, kjo çështje i takon kryeministrit si kryenogociator dhe si autoriteti më i lartë ekzekutiv të Republikës së Kosovës. Ai është në këtë pozicion dhe duhet ose ta zbatojë Marrëveshjen që vet ai personalisht e ka nënshkru, që njihet si marrëveshja Kurti-Vuçiq të 28 shkurtit 2023 në Bruksel. Këtu nuk ka asgjë tjetër. Kërkesat që kanë avancuar në demarsh nga shtetet partnere për anëtarësimin në Këshillin e Evropës është çështje e mos menaxhimit të mirë, e mos pjesëmarrjes aktive në negociata dhe mos përfaqësimit të mirë të interesit të Republikës së Kosovës”, thotë Haziri
Mirëpo se si do shihet prej vendeve aleate ky mos zbatim i kërkesës së tyre nga Qeveria Kurti, Haziri thotë se është mosbashkëpunim, mosmirënjohës dhe mos angazhim në negociata.
“Mosbashkëpunim, mosmirënjohës dhe mos angazhim në negociata sepse në një angazhim serioz dhe me negocim aktiv do të ishte përmisuar pozicioni i Kosovës përkundër kësaj tani Kosova është nën masa ndëshkuese, ka filluar me 240 milionë € për këto një vit ka shkuar në 420 milionë efekti financiar dhe Kosova është përfshirë në pakon financiare të BE-së prej 960 milionëve, sepse mbetet kërkesë jo kusht, por kërkesë që Kosova t’i zbatojë obligimet e veta që dalin prej marrëveshjeve Kurti-Vuçiq “, tha tutje Haziri.
Haziri konsideron se e vërteta reale është kjo, që Qeveria ka obligim të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara vet dhe fjalët tjera janë për konsum ditor dhe politika populiste.
“Kjo është pozicioni real, se çka thonë të tjerët për konsum ditor, politika populiste dhe për pozicionet e caktuara politike është çështje që lidhet me Qeverinë dhe me shumicën politike që përfaqësohet nga Vetvedosje dhe argatët e saj”, perfundoi Haziri për Front Online.
Haliti: Interesi i Kurtit nuk është anëtarësimi në KiE, por fokusi tek zgjedhjet e këtij viti
Xhavit Haliti nga PDK-ja thotë për “Front Online” se interesi i kryeministrit Kurti nuk është integrimi i Kosovës në KiE por beteja që të flitet për zgjedhjet e radhës, që sipas tij do të jenë këtë vit.
“Kam përshtypje që interesi i Kurti nuk është integrimi i Kosovës në KiE por beteja që të flitet për zgjedhjet e radhës, që kanë me ardhë gjatë këtij viti ose në fillim të vitit 2025, sipas rregullave që janë, në qoftëse nuk jep dorëheqje ose nuk bjen qeveria. Prandaj edhe po e bënë këtë akrobacion politik, duke u përpjekur t’i mashtroj gjithë faktorët relevantë siç janë vendet e BE-së, dhe në fund beteja për zgjedhjet e ardhshme do të jetë një betejë pikërisht në këtë mospranimin e tij për ta bërë Asociacionin”, theksoi Haliti.
Ai poashtu thotë se në rastin e kushtëzimit të draft-Asociacionit për anëtarësim në KiE, kemi të bëjmë me dy çështje, kushtet e Albinit dhe e vërteta e Marrëveshjeve, që ai i konsideron krejt të kundërta.
“Këtu kemi të bëjmë me dy çështje, kushtet që po i nxjerrë ky Albini dhe e vërteta me marrëveshjet që janë të nënshkruara edhe në Bruksel edhe në Ohër. Në asnjërën marrëveshje nuk ekziston teksti i nënshkruar në të cilin Serbia duhet ta pranojë Pavarësinë e Kosovës para se të fillojnë negociatat por janë kushtet dhe obligimet për të dyja palët. Duke marrë parasysh ne kemi obligimet tona të nënshkruara në Bruksel, zotimet në Ohër dhe mendoj sqë nuk është shantazh, nuk është presion por është obligim që e ka marrë Kosova gjatë negociatava në Vjenë 2007-2008, gjatë negociatava në Bruksel 2013-2015 dhe në fund zotimet në Marrëveshjen e Ohrit. Pra, këto janë çështje për të cilat, pas Kumanovës, pas Luftës së UÇK-së, pas bombardimeve të Natos, janë bërë për t’i krijuar mundësi Kosovës edhe Serbisë për tu bërë si “të mirë” mes vete dhe për tua pamundësuar përplasjet edhe ushtarake edhe politike por për t’ua krijuar mundësitë të dyja palëve që të jenë pjesë e BE-së”, tha ai.
Haliti thotë se Kurti duhet të ndryshoj politikat dhe çasjen, të vendos jo mbi bazën e dëshirave të tij por në interes të Kosovës.
“Mendoj që qëndrimet e Kurtit janë qëndrime jo të duhura, qëndrime që çojnë ujë në mullirin e Serbisë, qëndrime që i kundërvëhen politikave perëndimore të cilat janë dhe kanë qenë në krah të Kosovës prandaj mendoj që ai duhet të ndryshoj politikat dhe çasjen dhe të vendos jo mbi bazën e dëshirave të tij por të vendos në interes të Kosovës. Dhe, interesi i Kosovës është të futet në procese të integrimeve evropiane dhe të tjera, pa kushtëzim tonin por duke i vlerësuar të gjitha ato zotimet që janë marrë mbi bazën e Marreveshjeve”, tha Haliti.
Në fund, Haliti thotë se problemi është që po diskutohet thuajse Kosova ka për ta pranuar BE-në dhe të vendos për të, dhe jo e kundërta.
Kadrijaj: Kurti e ka pranuar Asociacionin por manipulon që mos t’i humbin votuesit
Time Kadrijaj nga AAK-ja thotë për “Front Online” se Kurti e ka pranuar Asociacionin në Bruksel dhe në anksin e Ohrit por tash, sipas saj, meqë jemi në vit zgjedhor mundohen të manipulojnë sa më shumë në mënyrë që mos t’i humbin votuesit.
“Vendime të tilla dhe kërkesa të tilla nga faktorët ndërkombëtar është humbja e besimit në këtë Qeveri kjo sepse çdo herë po shihet teksa kanë mashtruar, diçka tjetër kanë thënë në Bruksel dhe në anksin e Ohrit, kanë thënë që e kanë pranuar dhe Asociacionin por tash që jemi në vit zgjedhor mundohen të manipulojnë sa më shumë në mënyrë që të mos t’i humbin votuesit. Ndoshta pikërisht kjo është ajo qasje por që në fakt zotri Kurti e ka pranuar Asociacionin por si do të bëhet dhe si do të zhvillohet pritet të shohim”, tha Kadrijaj.
Kadrijaj thotë se kjo Qeveri ka dështuar pasi për gjatë mandatit të tyre nuk e kanë sjellë asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Kjo Qeveri na ke pru në këtë ditë vendin tonë, na ka sjellur në këtë pikë ku jemi, jemi nën sanksione dhe përgjatë këtyre viteve qeverisje nuk ka sjellur asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, tha Kadrijaj.
Poashtu, ajo thotë se mos koordinimi me aleatët dhe veprimet e njëanshme që i ka bërë kjo Qeveri na kanë sjellë në situatën në të cilën jemi, jemi vend që jemi të sanksionuar dhe vend që nga kjo Qeveri nuk e kemi asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim organizata ndërkombëtare.
“Një përgjigje lidhur me këtë temë duhet marrë nga Qeveria sepse moskoordinimi me aleatët dhe veprimet e njëanshme që i ka bërë kjo Qeveri na kanë sjellë në situatën në të cilën jemi, jemi vend që jemi të sanksionuar dhe vend që nga kjo Qeveri nuk e kemi asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim organizata ndërkombëtare”, tha ajo.
Në fund, Kadrijaj theksoi se Kurti ka mashtruar me deklarata, diçka tjetër ka deklaruar në Bruksel dhe me ambasadorët e Quint-it.