Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar të premten se për shkak të renovimit të katit përdhes të Klinikës së Onkologjisë, do të ketë disa ndryshime në ofrimin e shërbimeve.
Sipas njoftimit, aty ku jepen shërbimet ambulantore të klinikës, pra hapësirat ku jepet kimioterapia, nga dita e hënë, 15 janar 2024, do të zhvendosen përkohësisht në objektin e Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive, e cila ndodhet në hapësirat e QKUK, hyrja nga lagja e Veternikut.
Shërbimi i Radioterapisë do të funksionojë normalisht në hapësirat e ekzistuese, kurse shërbimi 24-orësh, për të hospitalizuarit do të vazhdojë akoma në katin përdhes të Ortopedisë së vjetër, aty ku ishte zhvendosur rreth 3 muaj më parë.
“Me renovim të tërësishëm të Klinikës së Onkologjisë, investim nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK, do të krijohen kushte moderne për trajtim të pacientëve dhe për stafin që i ofron këto shërbime”, thuhet në njoftimin për media.