Marrëveshja për normalizimin ekonomik e nënshkruar në Washington nga Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të hapë mundësi të reja për zhvillim ekonomik për të dyja shtetet ashtu si edhe për tërë Ballkanin Perëndimor, duke përmirësuar shkëmbimin reciprok ekonomik, siguruar burime të reja të financimit, si dhe duke përdorur në mënyrë më efikase asetet e përbashkëta natyrore, sipas Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
E vetë marrëveshja, sipas OEAK-ut, do të ketë si rezultat përshpejtimin e rritjes ekonomike përmes nxitjes së investimeve të brendshme e tërheqjes së investimeve të jashtme, si dhe krijimin e vendeve aq shumë të nevojshme të punës, transmeton KOHA.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vlerëson se hapja e mundësive për përfitime financiare nga Korporata Ndërkombëtare Financiare Zhvillimore e Shteteve të Bashkuara (DFC) si dhe Banka EXIM do të mundësojnë zhvillimin e infrastrukturës transportuese, përfshirë ndërtimin e autostradës së paqes dhe lidhjeve hekurudhore të cilat do të shtrihen deri në portet detare të Detit Adriatik.
“Kjo do t’i mundësonte Kosovës të vilte përfitime të mëdha ekonomike nga pozita e saj qendrore gjeografike në rajonin e Ballkanit, si një pikë e rëndësishme lidhjeje ndërmjet shteteve të këtij rajoni dhe më gjerë”, thuhet në komunikatë. “Përkrahja financiare nga institucionet e sipërcekura është po aq e rëndësishme edhe për lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat do të kenë një burim të ri të financimit për rritjen dhe zhvillimin e tyre”.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e vlerëson gjithashtu si të arritur të jashtëzakonshme vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, duke e vënë në dimension të ri bashkëpunimin ndërmjet të dyja shteteve, si në fushën ekonomike e të avancimit teknologjik, ashtu edhe atë të shkëmbimit akademik e kulturor.
“Përmes vendosjes së transportit hekurudhor me Serbinë, Kosova do të lidhet në rrjetin ndërkombëtar hekurudhor, ndërsa ndërmarrjeve nga Kosova do t’u ofrohet metodë më efikase e transportimit të mallrave, duke rritur edhe përparësitë konkurruese të tyre, e sidomos për industrinë prodhuese”, thotë OEAK.
Oda Amerikane beson fuqishëm se përmirësimi i infrastrukturës rrugore e hekurudhore do të ketë rol kyç në promovimin e lirisë së lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, ndërsa njohja reciproke e dokumentacionit akademik dhe edukimit profesional do të mundësojë mes tjerash edhe zbatimin e lirisë së ofrimit të shërbimeve duke garantuar lëvizshmërinë e bizneseve dhe profesionistëve brenda shteteve të Ballkanit në kuadër të marrëveshjes për zonën “mini-Schengen”.
“Heqja e barrierave ndërmjet shteteve do t’u mundësojë ndërmarrjeve prodhuese dhe tregtare nga Kosova të zgjerojnë praninë e tyre në mënyrë të papenguar në tërë zonën”, thotë OEAK.
Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane vlerëson se përmbushjes së synimeve të marrëveshjes së sipërcekur do t’i ndihmojë pashmangshëm edhe operacionalizimi i vendkalimit të përbashkët kufitar në Merdare, i cili do të përshpejtonte procedurat e kalimit kufitar për njerëzit dhe mallrat duke shmangur pritjet e gjata dhe procedurat burokratike.