Odat ekonomike i kanë propozuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, një program të përkrahjes për sektorin privat.
Odat në një njoftim për media thonë se organizatat që përfaqësojnë interesat e sektorit privat konsiderojnë se mbrojtja këtij sektori është jetike për ruajtjen e kapaciteteve të shtetit për të gjeneruar të hyra buxhetore dhe rrjedhimisht edhe për mirëqenien e popullsisë.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e sektorit privat për gjenerimin e punësimit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të zhvillojë një pako të masave mbështetëse për të siguruar mbijetesën e sektorit privat pas shpërthimit të pandemisë COVID-19”, thuhet në njoftim.
Ata konsiderojnë se “është me rëndësi që të ndërmerren masa të nevojshme për sigurimin e likuiditetit të mjaftueshëm në sistemin ekonomik të vendit, si në sektorin publik ashtu edhe në sektorin privat, përmes burimeve vetanake për financim të pjesshëm të masave të prezantuar në vijim, por edhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me Institucionet Financiare Ndërkombëtare për strukturimin e financimit të këtij programi stimulues për sektorin privat në Kosovë.
Bëhet e ditur se dokumenti me masa për mbështetje të sektorit privat dhe ekonomisë së vendit është hartuar me një grup ekspertësh financiarë dhe ligjor, ndërmarrës, organizata e biznese.
“Këto masa përfshijnë shqyrtimin me prioritet të kërkesave për pagesa nga ana e Thesarit për të gjitha shërbimet dhe produktet e ofruara nga operatorët ekonomikë si dhe ekzekutimi i menjëhershëm i të gjitha detyrimeve tek punëkryesit e kontraktuar, përpilimin e një programi për mbështetjen dhe stimulimin e sektorit privat, i cili do të përfshijë një pako financiare në vlerë prej 5% të bruto produktit vendor të Kosovës për fazën e emergjencës dhe rimëkëmbjes. Kjo pako financiare do të shërbente për mbulimin e obligimeve operacionale të bizneseve, përfshirë pagesën e pagave, qirave dhe shpenzimeve operative, por edhe për shtimin e kapitalit dhe zhvillimin e produkteve financiare të reja të ofruara nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, si dhe për zhvillimin e masave të tjera për stimulimin e funksionimit të zinxhirëve të vlerës në sektorët e ndryshëm të ekonomisë. Në kuadër të këtyre masave është e nevojshme që të krijohet një fond i mbështetjes së menjëhershme direkte për ndërmarrjet dhe punonjësit e ndërmarrjeve, aktiviteti i të cilave është ndërprerë, ose afektuar rëndë, pas marrjes së masave parandaluese për përhapjen e virusit COVID-19. Me qëllim të shmangies së konfuzionit, por edhe ofrimit të informatave gjithëpërfshirëse, është me rëndësi të krijohet një portal për publikim të të gjitha vendimeve dhe njoftimeve që lidhen me masat parandaluese kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.
Ata thonë se secila vonesë në zbatimin e masave konkrete në mbështetje të sektorit privat dhe punonjësve të goditur, do ta bënte më të shtrenjtë rikuperimin nga pasojat dëmtuese mbi ekonominë e vendit.