Integrimi i plotë ekonomik i rajonit të Ballkanit Perëndimor ndikon në rritjen e shkëmbimit tregtar, promovimin e potencialeve për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe rrjedhimisht për krijimin e vendeve të reja të punës për secilin shtet të këtij rajoni.
Në këtë aspekt, Oda Ekonomike Amerikane përshëndet vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shfuqizimin e barrierave në lirinë e lëvizjes së mallrave, duke e vlerësuar këtë si hap të rëndësishëm në integrimin ekonomik rajonal, por edhe në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit, si parakusht edhe për avancimin e rrugëtimit euro-atlantik të shteteve të Ballkanit. Oda Amerikane në Kosovë rithekson se njohja reciproke, tregtia pa barriera dhe fuqizimi i lidhjeve ekonomike do ta përmirësonte perceptimin për Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit në sytë e investitorëve amerikanë dhe të tjerë të huaj.
Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane përsërit qëndrimin e saj për implementimin e marrëveshjeve për komunikacionin ajror, hekurudhor dhe rrugor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të mundësonin fuqizimin e sektorit privat dhe hapjen e potencialit të të dyja vendeve për rritje të përshpejtuar ekonomike, por edhe rikuperim të shpejtë ekonomik pas pandemisë COVID-19.