Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka thënë se prindërit duhet t’i përgatisin fëmijët e tyre për t’u mbrojtur kundër COVID-19, pasi një studim i ri tregoi se bebet dhe fëmijët ka raste kur mund të zhvillojnë simptoma të rëndë.
Një studim i ri ka treguar se disa fëmijë në Kinë kanë zhvilluar sëmundje të rëndë apo kritike dhe një fëmijë ka vdekur, ka thënë dr. Maria Van Kerkhove, shefe e njësitit të OBSH-së për sëmundje në zhvillim dhe e zoonozës, në një konferencë për media të mërkurën. “Ajo për çfarë kemi nevojë të përgatitemi është mundësia që edhe fëmijët mund të përjetojnë sëmundje të rëndë”, raporton CNBC-ja.
Studimi i ri, i cili u publikua online në buletinin “Pediatrics”, ka kontrolluar 2,143 raste të fëmijëve me virus të konfirmuar apo dyshuar që u raportuan në Qendrat Kineze për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjes mes 16 janarit dhe 8 shkurtit. Më shumë se 90% për qind të rasteve nuk kishin simptoma, kishin simptoma të lehta apo mesatare. Megjithatë, gati 6% e rasteve të fëmijëve ishin të rënda apo kritike, në krahasim me 18.5% për të rriturit, transmeton KOHA.
“Mund të jenë një sërë arsyesh”, tha në një deklaratë Bonnie Maldonado, eksperte e sëmundjeve infektive në Stanford që s’ishte e përfshirë në studim. “Është e mundshme që receptori për virusin të mos jetë në konfigurim të njëjtë tek fëmijët si te të rriturit. Është e mundur që ka pasur vetëm më shumë të rritur që janë testuar, sepse ky ka qenë edhe fokusi”.
Në fillim të përhapjes së koronavirusit COVID-19, hulumtuesit thanë se virusi i ri duket se po i kursen fëmijët, kurse për të moshuarit dhe për ata që kanë probleme shëndetësore është shumë i ashpër. Simptomat mund të përfshijnë probleme me fytin, shkuarje të hundëve, ethe apo pneumoni dhe mund të avancojnë në dështim të organeve apo edhe vdekje në disa raste, thanë ata.
Një studim i vogël, i publikuar më 30 janar në buletinin shëndetësor “The Lancet”, gjeti se mosha mesatare e pacientëve me koronavirusin ishte rreth 55 vjeç. Studimi monitoroi 99 pacientë në spitalin “Jinyintan” në Wuhan, Kinë, nga 1 janari deri më 20 janar.
“Sa më i moshuar, rreziku më i madh”, tha Kerkhove në shkurt. “Madje duket se mosha mbi 80 vjeç është faktori më i lartë i rrezikut”.
Marc Lipsitch, profesor i epidemiologjisë në Shkollën Harvard të Shëndetit Publik, i ka thënë CNBC-së muajin e kaluar se mungesa e rasteve të konfirmuara me virus në mesin e fëmijëve mund të jetë edhe për faktin se ata po infektohen, por zhvillojnë simptoma më të lehta dhe nuk raportohen tek autoritetet lokale.
Dallimet në simptoma në mesin e grupmoshave të ndryshme shihen edhe në sëmundje të tjera respiratore. Gripi sezonal, që infekton me miliona njerëz në SHBA çdo vit, zakonisht është më i ashpër tek adoleshentët sesa fëmijët.
Me mijëra fëmijë hospitalizohen çdo vit nga gripi, por vdekjet janë të rralla, sipas Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve. Megjithatë, nga 50% deri në 70% të hospitalizimeve të ndërlidhura me gripin në SHBA prekin moshat mbi 65-vjeçare, dhe mes 70% dhe 85% e vdekjeve ndodhin në grupmoshën e njëjtë, ka thënë CDC-ja.